Qeveria urdhëron për kontrolle të jashtëzakonshme në Qytetin e Shkupit dhe Higjienën Komunale, shkak gjendja alarmante me mbeturinat

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka urdhëruar një kontroll të jashtëzakonshëm në territorin e Shkupit për shkak të krizës me grumbullimin e mbeturinave.
Komunikata e Qeverisë:
Në lidhje me problemin e grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit, Qeveria në seancën e sotme miratoi konkluzionet në vijim:
Ngarkohen Inspektorati Shtetëror Komunal, Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, që menjëherë të nisin kontroll të jashtëzakonshëm të koordinuar në territorin e Qytetit të Shkupit, me qëllim të përcaktimit të gjendjes me mbeturinat komunale dhe lloje të tjera të mbetjeve, si dhe ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve të nevojshme.
Gjithashtu, ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet kompetente, dhe i bëhet apel Qytetit të Shkupit – Sektorit të Inspektoratit, që të veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre ligjore dhe të hetojnë punën e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale – Shkup” dhe të kryetarit të Qytetit të Shkupit në lidhje me mosgrumbullimin e mbeturinave komunale, që paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve.
Gjendja është alarmante, dhe megjithëse kompetenca i takon Qytetit të Shkupit, për shkak të mosveprimit të vazhdueshëm, institucionet ftohen që menjëherë të zbatojnë konkluzionet e miratuara nga Qeveria.