Qeveria e Kosovës miraton Projektligjin për Lirinë Fetare

Qeveria e Kosovës miraton Projektligjin për Lirinë Fetare

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e fundit ka miratuar Projektligjin për Lirinë Fetare, raporton Anadolu Agency (AA).

Projektligji në fjalë do t’u ofrojë bashkësive fetare mundësinë për t’u regjistruar zyrtarisht duke përfituar kështu të drejta të plota dhe të barabarta.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti, tha se Projektligji për Lirinë Fetare në Kosovë është nga më të rëndësishmit për shkak se liria fetare zë një vend të veçantë në shoqërinë e lirë dhe të hapur, ashtu siç është shoqëria e Republikës së Kosovës.

Kurti tha se Qeveria synon që në këtë fushë të arrijë një standard sa më të lartë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, derisa theksoi se mendime dhe besime të ndryshme vazhdimisht hynë dhe qarkullojnë midis qytetarëve në Kosovë dhe diversiteti i bindjeve fetare midis popullatës është i pashmangshëm.

Sipas Kurtit, një ndër qëllimet më të rëndësishme të projektligjit është të ruajë dhe promovojë pluralizmin fetarë.

“Qeveria jonë e merr seriozisht detyrimin jo vetëm për të garantuar respektimin e plotë të lirisë fetare, por edhe për të siguruar që kjo liri të garantohet në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim. Për të ruajtur e kultivuar diversitetin, e për të garantuar të drejtën e lirisë së fesë, ju ftoj që ta miratojmë këtë projektligj”, theksoi Kurti.

Me Projektligjin në fjalë edhe ato bashkësi që janë relativisht të vogla dhe të reja në Kosovë do të përfitojnë të drejta të plota dhe të barabarta me ato që janë më të mëdha dhe që kanë një histori më të gjatë në vend.

Ndryshimet lidhen me statusin juridik të vetë bashkësisë fetare

Në fillim të muajit dhjetor të vitit 2022, Qeveria hapi dëgjim publik për ndryshimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë.

Në këtë mbledhje u bë e ditur se ndryshimet lidhen me statusin juridik të vetë bashkësisë fetare e cila duhet ta ketë të drejtën e zotërimit juridik të pronës, të marrjes me qera të pronës, mbajtjes së llogarisë zyrtare bankare, punësimin e punëtorëve, sigurimin e tyre dhe mbrojtjen ligjore të komunitetit, anëtarëve dhe pasurisë së tyre, por, po ashtu edhe të drejtën e bashkësive fetare për të themeluar institucione të ndryshme të karakterit humanitar, edukativ dhe të ngjashme.

Ndryshimet në këtë projektligj përfshijnë gjithashtu edhe formimin e një komisioni, i cili enkas do të merret me punët praktike për të drejtat dhe liritë e bashkësive fetare dhe i përcakton kriteret përmes së cilës bashkësitë e reja fetare që duan të regjistrohen në Kosovë.

Projektligji për Lirinë Fetare u miratua për herë të parë më 24 gusht 2006. Një prej qëllimeve të projektligjit është përditësimi i kornizës ligjore për liritë fetare për të rritur përputhshmërinë me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.

Për të hyrë në fuqi ndryshimet në Projektligjin për Lirinë Fetare do të duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës me një shumicë të thjeshtë prej 61 votash të deputetëve.