Putin sheh mundësi për zgjidhje diplomatike në Ukrainë
Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se sheh mundësi për një zgjidhje diplomatike që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë, transmeton Anadolu.
Duke folur në Forumin Ekonomik Lindor në qytetin port Vladivostok në Paqësor, Putin tha se palët kryesore të konfliktit, Rusia dhe Ukraina, duhet të arrijnë një konsensus përpara se vendet e tjera të kontribuojnë në proces.
“U jemi mirënjohës të gjithëve që po përpiqen të kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje. A ka mundësi… sipas mendimit tim, po, ka”, tha ai.
“Në fakt, në fund të fundit dhe mbi të gjitha, ky problem duhet të zgjidhet nga vendet e përfshira në konflikt. Këto janë Rusia dhe Ukraina. Kjo është qasja e duhur”, shtoi ai.
I pyetur për ndërmjetësimin e SHBA-së lidhur me çështjen e Ukrainës, presidenti rus tha se kontaktet mes Moskës dhe Washingtonit po vazhdojnë, përfshirë edhe përmes kanaleve të inteligjencës.
“Jemi në kontakt me administratën amerikane dhe vazhdojmë të jemi në kontakt edhe tani. Shpresoj që këto kontakte të vazhdojnë dhe në fund të çojnë në një rezultat pozitiv”, tha ai.
Duke iu referuar marrëdhënieve Rusi-SHBA, Putin tha se rivendosja e tyre varet nga të dyja palët, duke shtuar se beson se presidenti Donald Trump është i prirur pozitivisht ndaj një bashkëpunimi konstruktiv.
“Me aq sa kuptoj, ndiej dhe shoh, presidenti Trump është i orientuar drejt një pune të tillë pozitive”, tha ai.
Putin theksoi se Rusia ka shumë miq në SHBA dhe se njëri prej tyre është aktori dhe regjisori amerikan Steven Seagal, i cili ishte i pranishëm në sallë.
Putin e quajti atë “mik të Rusisë” dhe “të dërguarin më të mirë të paqes”. “Ne kemi shumë miq në SHBA. Njëri prej tyre ndodhet në këtë sallë, z. Steven Seagal”, tha Putin, duke nxitur duartrokitje nga të pranishmit.
– Sulmet ndaj anijeve civile
Putin gjithashtu kritikoi sulmet dhe kërcënimet që përfshijnë anije dhe avionë civilë, duke theksuar se veprime të tilla ndërlikojnë perspektivën për bisedime dypalëshe të paqes.
Ai i cilësoi sekuestrimin e anijeve civile, sulmet ndaj anijeve tregtare dhe kërcënimet ndaj avionëve civilë si “terrorizëm shtetëror”.
“A i keni vënë re sekuestrimet e anijeve civile, sulmet ndaj anijeve tregtare civile dhe për më tepër tani kemi dëgjuar për kërcënime për të sulmuar avionë civilë. Kjo, natyrisht, është një shfaqje e terrorizmit shtetëror. Dhe kjo sigurisht e ndërlikon mundësinë e zhvillimit të negociatave dypalëshe të paqes”, tha ai.
Më tej, Putin tha se aleatët perëndimorë të Ukrainës, të cilët nuk reaguan ndaj veprimeve të tilla, po bëhen “bashkëpunëtorë në terrorizmin ndërkombëtar”.
Ai tha se Moska po zhvillon me shpejtësi sistemet e mbrojtjes ajrore, duke shtuar se të gjitha sulmet ndaj rafinerive të naftës në Rusi dy ditë më parë u zmbrapsën.
Presidenti rus hodhi poshtë edhe një herë raportimet për mobilizim në Rusi, duke theksuar se ato po përhapen për të penguar zgjedhjet për Dumën Shtetërore. “Sot nuk ekziston asnjë skenar që do të kërkonte mobilizim”, tha ai.
Putin theksoi se biznesmenët rusë së fundmi kanë bërë qindra miliarda rubla donacione vullnetare për buxhetin rus, gjë që sipas tij, ishte “një surprizë absolute”.

