PSV-Arsenal mjafton një barazim, Lens nxjerr jashtë fituesit e Europa League

PSV-Arsenal ndajnë pikët në takimin e fundit të fazës së grupeve të Champions League, me të dyja skuadrat që siguruan një vend në raundin e 1/8-ave.
Takim i zhvilluar këtë të martë u mbyll me barazimin 1-1, ndërsa ishin anglezët ata që gjetën të parët rrugën drejt rrjetës.
Në minutën e 42’ Nketiah depërtoi përmes mbrojtjes së skuadrës holandeze dhe zhbllokoi sfidën.
Ndërsa në minutën e 50’, Vertessen barazoi për PSV-në, pas asistit të dhuruar nga Pepi.
1-1 dhe Arsenal shkon në fazën e 1/8-ave të Champions League si kryesues i grupit B me 13 pikë, ndërsa PSV-ja e vendit ët dytë shkon me 9 pikë.
Lens fiton me rezultatin 2-1 ndaj Sevilla-s në takimin e fundit të fazës së grupeve të Champions League dhe shkon në 1/16-at e Europa League, teksa spanjollët e mbyllin këtu rrugëtimin europian.
Kjo sfidë ishte shumë e luftuar, ndërsa pjesa e parë u mbyll me porta të paprekura.
U desh minuta e 63’ që Frankowski të shënonte nga pika e bardhë e penalltisë dhe të kalonte francezët në avantazh.
Po me penallti, në minutën e 79’ ishte Ramos ai që shënoi, duke u dhënë barazimin spanjollëve.
Ndeshja u vulos në minutat shtesë, me Fulgini që realizoi në minutën e 90+6’ dhe u dha fitoren vendasve.
2-1 dhe Lens shkon në 1/16-at e Europa League, pasi renditet në vend të tretë të grupit B me tetë pikë, teksa Sevilla e vendit të fundit me dy pikë mbyll “ëndrrën” europiane të këtij sezoni.