PSG-REAL MADRID, ORA 21:00/ Luis Enrike vs Çabi Alonso, dueli i parë në “dërrasën e zezë”

PSG-REAL MADRID, ORA 21:00/ Luis Enrike vs Çabi Alonso, dueli i parë në “dërrasën e zezë”

Gjysmëfinalja e Kupës së Botës për Klube midis Realit të Madridit dhe PSG-së do të shënojë përballjen e parë midis Ksabi Alonsos dhe Luis Enrikes në stol.

Dy nga trajnerët më me ndikim të ekipeve të tyre do të përballen në një betejë plot nuanca dhe detaje. Sepse Reali i Madridit dhe PSG-ja udhëhiqen nga dy prej trajnerëve më aktivë që ekzistojnë. Dy trajnerë me një mprehtësi të thellë taktike. Deri më tani, duelet midis Alonsos dhe Luis Enrikes kanë qenë të kufizuara në dy ndeshje gjatë kohës së tyre si lojtarë. Dhe kjo ndodhi më shumë se dy dekada më parë.

Më 2 nëntor 2003, Sociedadi dhe Barcelona barazuan 3-3 në “Anoeta”, me Ksabin që luante si titullar me baskët dhe “Luchon” që hynte në fushë 15 minuta para përfundimit të ndeshjes për Barcelonën, duke zëvendësuar Kuarezmën. Më 25 janar 2001, Barça shkatërronte Sociedadin 3-0 në “Camp Nou”. Luis Enrike ishte titullar, kurse Ksabi Alonso, në ndeshjen e tij të gjashtë në La Liga, hyri në fushë 20 minuta para përfundimit të ndeshjes. Tani ata përballen me njëri-tjetrin në një ndeshje monumentale. Gjysmëfinalja e Kupës së Botës për Klube nxjerr në pah shkollën spanjolle të trajnerëve me dy shembuj të qartë suksesi.

LUIS ENRIKE – Në moshën 55 vjeç, Luis Enrike e ka shndërruar PSG-në në ekipin më të fuqishëm në Europë. Nën udhëheqjen e tij, Parisi fitoi për herë të parë Ligën e Kampioneve, një ëndërr që parisienët nuk mundën ta arrinin nën drejtimin e Ançelotit, Unai Emeri, Poçetinos, Tuhelit… dhe emrave të mëdhenj në fushë, si: Nejmar, Mesi, Mbape… sa për të përmendur disa. “Ai është më i miri në botë”, thirri Al-Khelaifi në Mynih, euforik pasi fitoi Ligën e Kampioneve në një finale historike kundër Interit (5-0). Që nga fillimi i mandatit të tij si trajner, ekipet e Luis Enrikes kanë mbajtur gjurmën e tij të pagabueshme. Rruga e tij është e qartë dhe kushdo që nuk beson në idenë e tij, në propozimin e tij, nuk ka vend aty. “Sezonin e ardhshëm do të kem gjithçka nën kontroll, të gjithë lojtarët do të bëjnë atë që dua unë”, shpjegoi ai pas largimit të Mbapesë. Ai e dinte se çfarë po humbiste – një lojtar me talent unik – por gjithmonë ishte i qartë për një gjë: “Do të jemi më të fortë, një ekip më i mirë”. Koha, përmes rezultateve dhe lojës i ka dhënë të drejtë. Sot, PSG-ja është një ekip dominues dhe me gjurmën e Luis Enrikes në çdo detaj në fushë.

KSABI ALONSO – E transformoi Leverkusenin në një ekip kampion në Gjermani me një tipar dallues të ngjashëm me atë të Luis Enrikes: një ekip i drejtuar me autoritet nga stoli. Leverkuseni u bë Bajeri i Ksabit, një njësi si fizarmonikë, fleksibile dhe e akorduar në mënyrë të përsosur nga trajneri i saj. Sfida e tij e madhe me mbërritjen te Reali i Madridit është pikërisht kjo: të transferojë përpjekjen kolektive që dha kaq shumë fryt në Gjermani në një ekip ku Ançeloti dinte si të nxirrte maksimumin nga talenti individual. Janë dashur vetëm pesë ndeshje për të kuptuar se ky Real në ndërtim, është kryesisht një punë në zhvillim e sipër, e nxitur nga puna e trajnerit të ri. Ksabi Alonso e ka lëvizur ekipin e tij me formacione të ndryshme, duke paraqitur variacione edhe brenda një ndeshjeje të vetme. Një atmosferë risie rrethon këtë Madrid të ri, por sfida për të barazuar gjithçka që arriti Ançeloti është e madhe. Sonte në mbrëmje, në ndeshjen e tij të parë kundër Luis Enrikes, Alonso do të luajë sezonin e tij të parë në “male të larta” që kur u bë trajner i Realit. Për momentin, ish-lojtari nga Tolosa u ka dhënë arsye tifozëve të Madridit që ta shohin të ardhmen e afërt me optimizëm. Luis Enrike, trajneri që ndryshoi historinë e ekipit të “Parc des Princes”, e ka ndjekur tashmë këtë rrugë në Paris. Ksabi e bëri këtë te Leverkusen. Por historia e Realit të Madridit është ndryshe.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

MARKETING