Pse Mark Zuckerberg mund të detyrohet të shesë Instagram dhe WhatsApp?!

Pse Mark Zuckerberg mund të detyrohet të shesë Instagram dhe WhatsApp?!

Kompania Meta, në pronësi të Mark Zuckerberg, është duke u përballur me një gjyq vendimtar në SHBA, që mund të çojë në ndarjen e saj nga platformat Instagram dhe WhatsApp.
Procesi gjyqësor nisi më 14 prill, pas një hetimi gjashtëvjeçar nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC), që pretendon se Meta ka shkelur ligjet e konkurrencës.

Sipas padisë, Meta përdori praktika antikonkurruese për të mbrojtur dominimin e saj në tregun e rrjeteve sociale personale. FTC pretendon se blerjet e Instagram më 2012 dhe WhatsApp më 2014 ishin mënyra për të eliminuar kërcënimet konkurruese ndaj Facebook. Në dokumente citohet një email i Zuckerberg nga viti 2008 ku thuhet: “Është më mirë të blesh sesa të konkurrosh”.
Për më tepër, Meta akuzohet se ka vendosur kushte kufizuese për zhvilluesit që përdorin platformën e saj, në mënyrë që të frenojë rritjen e konkurrentëve potencialë. FTC argumenton se kjo sjellje ka dëmtuar përdoruesit, duke kufizuar zgjedhjen, cilësinë dhe inovacionin në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, Meta i është përgjigjur akuzave me një deklaratë publike ku i konsideron pretendimet e FTC-së si të dobëta dhe të shkëputura nga realiteti. Jennifer Newstead, drejtuese e çështjeve ligjore në Meta, theksoi se tregu i rrjeteve sociale është shumë më kompleks dhe përfshin konkurrentë si TikTok, YouTub, iMessage dhe X.

Sipas saj, Instagram ka përfituar nga blerja nga Meta dhe ofron një përvojë më të mirë për përdoruesit. Megjithatë, nëse Meta humbet procesin, Zuckerberg mund të detyrohet të shesë Instagram dhe WhatsApp – një vendim që do të kishte pasoja të mëdha për të ardhmen e rrjeteve sociale globale./ TAR

MARKETING