Prorektori i Universitetit të Rijekës gjobitet për mbajtjen e flamurit palestinez

Prorektori i Universitetit të Rijekës gjobitet për mbajtjen e flamurit palestinez

Prorektori i Universitetit të Rijekës, Gordan Jelenic, është ndaluar mbrëmjen e djeshme nga policia kroate pasi mbante një flamur palestinez gjatë një marshimi të zhvilluar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, veçanërisht për faktin se mes temave kryesore të marshit ishte edhe solidariteti me viktimat e shumta në Gaza.

Pas ndalimit, autoritetet policore i kanë dorëzuar Jelenic një urdhër në të cilin thuhet se, duke mbajtur flamurin e një shteti të huaj, ai ka shkelur Ligjin për kundërvajtje ndaj rendit dhe qetësisë publike. Për këtë veprim, ai është dënuar me një gjobë prej 200 eurosh, si dhe detyrohet të mbulojë shpenzimet e ndalimit.

Vetë prorektori ka deklaruar se flamurin e mbante si shenjë solidariteti me popullin palestinez, në përputhje me mesazhin që përcillte marshimi.

Edhe pse në Kroaci janë organizuar disa tubime në mbështetje të Palestinës që nga fillimi i konfliktit, deri më tani nuk është raportuar ndonjë rast i ngjashëm ndalimi për shkak të mbajtjes së flamurit palestinez. Kujtojmë se Kroacia ende nuk e ka njohur zyrtarisht Palestinën si shtet. /SHENJA/

MARKETING