Propozim aktakuzë për sulmin ndaj kryetares së Shkupit, vazhdohet paraburgimi ndaj dyshuarit

Prokuroria Themelore Publike – Shkup ka ngritur aktakuzë kundër personit S.L. për veprën penale “dhunë” në lidhje me ngjarjen që ndodhi më 11 korrik të vitit 2025 ku u sulmua kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
Më 11 korrik, në rrugën “Sevastopolska” në Shkup, Kryetarja e Qytetit, Danela Arsovska, u sulmua fizikisht nga një person i akuzuar tashmë për dhunë të rëndë. Gjatë incidentit, Arsovska, e cila ndodhej në vendngjarje së bashku me zyrtarë të tjerë për të inspektuar ndërtime të paligjshme dhe lidhje të paautorizuara të ujit dhe energjisë elektrike, u përball me një sulm fizik dhe verbal që shkaktoi lëndime trupore dhe ndjenjë pasigurie në publik.
I akuzuari mbërriti me një skuter elektrik dhe iu afrua asaj në mënyrë kërcënuese, përpara se ta godiste në fytyrë, krah dhe këmbë. Edhe pas ndërhyrjes së policisë, ai vazhdoi me fyerje dhe kërcënime verbale.
Prokuroria Themelore Publike njoftoi se ka paraqitur një kërkesë në Gjykatë për zgjatjen e masës së paraburgimit për të akuzuarin, duke theksuar rrezikun e arratisjes apo përsëritjes së veprës penale.
Për të njëjtën ngjarje, një person tjetër ishte raportuar për kërcënime verbale ndaj Kryetares. Megjithatë, pas hetimeve dhe ballafaqimeve me dëshmitarët dhe të dëmtuarit, u konstatua se ky person nuk ishte i përfshirë në incident.