Prokuroria siguroi material të vëllimshëm të provave për Onkologjinë, vijojnë marrjet në pyetje të 20 pacientëve

Prokuroria siguroi material të vëllimshëm të provave për Onkologjinë, vijojnë marrjet në pyetje të 20 pacientëve

Deri në këtë moment nga Klinika e Radioterapisë dhe Onkologjisë është siguruar material i vëllimshëm i provave dhe dokumentacion i cili tashmë është lëndë e analizës. Në mënyrë shtesë, vijojnë marrjet në pyetje edhe të 20 pacientëve të cilët deri në këtë moment vullnetarisht u lajmëruan në linjën telefonike të Prokurorisë Themelore Publike Shkup që të ndihmojnë në hetimin me njohuri të tyre, informojnë nga PP.

“Të dhënat janë nxjerrë me historitë e trajtimit të grupeve të pacientëve që kanë marrë terapi biologjike në Klinikë, si dhe historitë mjekësore të rreth 40 pacientëve të tjerë për të cilët kryhet kontroll i drejtpërdrejtë i të dhënave të trajtimit. Prokuroria Themelore Publike Shkup ka formuar ekip të ekspertëve, të cilët bëjnë analizë të funksionimit të përgjithshëm ekonomiko-financiar të Klinikës, si dhe analizojnë të dhënat nga historitë shëndetësore të pacientëve”, thuhet në kumtesën e Prokuroria lidhur me veprimet e ndërmarra pas ngjarjeve në Onkologji.

Nga aty shtojnë se prokurorët publikë kompetentë kanë marrë në pyetje disa të punësuar në Klinikën e Onkologjisë, si dhe dy ekspertë, ndërsa por vijojnë edhe marrjet në pyetje të 20 pacientëve të cilët vullnetarisht ishin paraqitur në PP që ta ndihmojnë hetimin me njohuritë e tyre.

Në drejtim të zbardhjes së plotë të ngjarjes, Prokuroria Themelore Publike në Shkup vepron në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila me urdhër të prokurorit publik kryen analizë të të dhënave kompjuterike të marra gjatë kontrolleve të kryera në tre lokacione.

“Njësia e Hetimeve Financiare pranë MPB-së është angazhuar për kryerjen e hetimit financiar, si dhe janë kërkuar veprime të caktuara nga Drejtoria e Inteligjencës Financiare. Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore në përputhje me kompetencat e tyre duhet të përgatisin dhe dorëzojnë raporte për punën e Klinikës”, thuhet në kumtesën e PP-së.

Shtohet se në veprimet të cilat ndërmerren në lidhje me të dhënat nga raporti i revizorëve në Entin Shtetëror të Revizionit në lidhje me Klinikën e Onkologjisë, prokuroria publike do t’i përfshijë edhe revizorët të cilët e kanë përgatitur raportin dhe i kanë konstatuar gjendjet.

Për pacientë nga vendet të cilat janë mjekuar me terapi të caktuara në Maqedoninë e Veriut, si dhe për njohuri eventuale për shitje ilegale të ilaçeve për trajtim të pacientëve onkologjikë në ato vende, nga Prokuroria thonë se do të kërkojnë të dhëna nga organet kompetente në Kosovë dhe Shqipëri, duke i shfrytëzuar kanalet për bashkëpunim ndërkombëtar dhe shkëmbim të informacioneve.

“Dje grupi joformal i pacientëve nga Klinika e Onkologjisë në Prokurorinë Themelore Publike Shkup ka dorëzuar listën me tre pacientë të drejtpërdrejtë dhe një të afërm të pacientit në Klinikë, të cilët do të përfshiheshin dhe do të merrnin një pasqyrë të drejtpërdrejtë në të gjitha provat e mbledhura gjatë procedurës. Prokurorët publikë gjatë ditës së sotme do t’i kontaktojnë ata persona për t’i ftuar në Prokurori për të nënshkruar deklaratat e konfidencialitetit dhe për të rënë dakord për dinamikën e aktiviteteve”, bëjnë të ditur nga atje.

Të dhënat për keqpërdorim të terapisë për kancer në Klinikën e Onkologjisë shkaktuan një varg reagimesh nga të gjitha anët. Kompetentët sigurojnë se po grumbullohen dëshmi dhe po hetohen akuzat për vepra të kryera penale, ndërsa qytetarët dhe pacientët organizojnë protesta para Qeverisë dhe para Prokurprisë Publike, duke kërkuar përgjegjësi. 

MARKETING