Projekte infrastrukturore madhore, Limani shpalos arritjet dhe planet për Gostivarin
Kandidati i AKI-t për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ishte sonte i ftuar në emisionin “Debat në SHENJA”, ku foli për projektet kryesore të realizuara dhe ato që pritet të realizohen gjatë mandatit të tij në krye të komunës.
Limani theksoi se Komuna e Gostivarit ka zbatuar një numër të madh projektesh, duke u ndalur veçanërisht te ato që, sipas tij, do ta transformojnë dukshëm qytetin.
“Janë shumë projekte të realizuara, por do të veçoja disa nga më kryesoret që do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin urban të Gostivarit. Një nga projektet më të rëndësishme është ndërtimi i urës së re te gjykata, e cila do të ndërtohet nga e para dhe do të përmbushë të gjitha standardet bashkëkohore. Ura do të ketë katër korsi për automjete, dy korsi për biçikleta dhe dy për këmbësorë”, deklaroi Limani.
Ai po ashtu përmendi zgjerimin e bulevardit “Vëllezërit Gjinovci”, duke e cilësuar atë si arterien kryesore të qytetit, si dhe ndërtimin e parkingjeve kryesore në afërsi të objektit të Komunës së Gostivarit.
Si projekt me peshë më të madhe financiare, Limani përmendi sheshin e qytetit të Gostivarit, i cili parashihet të realizohet me nënkalime dhe parkingje nëntokësore. Sipas tij, synimi është që ky projekt të paktën të nisë deri në fund të mandatit aktual. /SHENJA/

