Prof. Bujamin Bela i bashkohet ekipit të Mexhitit si këshilltar për Çairin

Kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, bëri të ditur sot se ekipit të tij i është bashkuar Prof. Bujamin Bela, i cili do të shërbejë si këshilltar për çështje ekonomike dhe buxhetore.
“Kur merren vendime strategjike që përcaktojnë të ardhmen e Çairit, është thelbësore të kemi pranë vetes ekspertë që e dinë si t’i çojnë përpara proceset,” deklaroi Mexhiti, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së profesionistëve në qeverisje lokale.
Ai shtoi se Prof. Bela do të kontribuojë me përvojën dhe ekspertizën e tij akademike për zhvillimin ekonomik dhe menaxhimin efikas të buxhetit të komunës:
“Sot, Prof. Bujamin Bela i është bashkuar ekipit tim si këshilltar për çështje ekonomike dhe buxhetore. Me dijet dhe përkushtimin e tij, do të punojmë për një të ardhme më të zhvilluar për Çairin.”
Mexhiti e vlerësoi lartë profilin profesional të anëtarit të ri të ekipit:
“Bujamini është akademik i doktoruar në fushën e menaxhmentit në Universitetin e Stambollit, një institucion me renome ndërkombëtare. Ai ka spikatur si student ekselent dhe sot është një profesionist me njohuri të thelluara dhe vizion të qartë, i gatshëm të kontribuojë në zhvillimin e komunës sonë.”
Në përfundim, Mexhiti e mirëpriti profesorin në ekipin e tij, duke e cilësuar si pjesë të një skuadre fituese:
“Mirë se erdhe në ekipin fitues, profesor!”