Presidentja Siljanovska-Davkova priti një delegacion të Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë nga Parlamenti suedez
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova priti një delegacion të Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë nga Parlamenti suedez – Riksdag, të udhëhequr nga Lota Xhohnson Fornavre, i shoqëruar nga ambasadori i Mbretërisë së Suedisë, Ola Sollstrom.
Siç bëri të ditur Kabineti Presidencial, Siljanovska-Davkova shprehu kënaqësi për bashkëpunimin e shkëlqyer me deputetët suedezë, të bazuar në besim dhe respekt të ndërsjellë, duke theksuar se një partneritet i tillë është bazë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme dypalëshe midis dy shteteve.
“Ajo kujtoi se Suedia është donatori i katërt më i madh dypalësh për vendin dhe se mbështetja e saj reflektohet jo vetëm në ndihmën për zhvillim, por edhe në rolin e saj si lehtësuese e reformave evropiane. Si ish-anëtare e Grupit Monitorues për Bashkëpunim me Riksdagun suedez, Siljanovska-Davkova theksoi se demokracia parlamentare suedeze ka qenë gjithmonë një shembull nga i cili mund të mësojmë. Sipas saj, përvoja e fituar përmes një bashkëpunimi të tillë është një nxitje për dialogje të reja, të hapura dhe konstruktive që do të forcojnë kulturën politike dhe pjekurinë institucionale në vend”, thuhet në komunikatë.
Shtohet se deputetët suedezë shprehën hapje dhe vendosmëri për të vazhduar bashkëpunimin parlamentar, shkëmbimin e përvojave demokratike dhe ndihmën e mbështetjen për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Presidentja porositi se përparimi drejt BE-së duhet të bazohet në një sistem merite, dhe jo në kushtëzime politike dhe kërkesa të njëanshme”, informoi Kabineti Presidencial.

