Presidenti iranian, Pezeshkian: Lufta nuk është në interesin e askujt

Presidenti iranian, Pezeshkian: Lufta nuk është në interesin e askujt

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian bëri thirrje sot për përdorimin e “çdo rruge racionale dhe diplomatike” për të ulur tensionet, duke thënë se lufta nuk është në interesin e askujt, transmeton Anadolu.

“Ndërsa u rezistojmë kërcënimeve, çdo rrugë racionale dhe diplomatike duhet të përdoret për të ulur tensionet”, e citoi presidentin iranian Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA.

“Në të njëjtën kohë, mosbesimi ndaj armikut dhe vigjilenca në ndërveprime janë domosdoshmëri të pamohueshme”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei tha se Irani nuk ka plane për një raund tjetër bisedimesh me SHBA-në. “Republika Islamike e Iranit nuk pranon asnjë afat apo ultimatum në ndjekjen e interesave të saj kombëtare”, tha Baqaei në një deklaratë të transmetuar nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve të vendit Tasnim.

“Mbrojtja e interesave kombëtare do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme dhe në rast të ndonjë aventurizmi të ri nga SHBA-ja ose regjimi izraelit, forcat e armatosura do të përgjigjen me forcë të plotë dhe fuqi vendimtare”, shtoi ai.

Këto komente erdhën pasi dy burime pakistaneze të njohura me procesin e ndërmjetësimit për Anadolu thanë se një delegacion iranian do të marrë pjesë në një raund të dytë bisedimesh me SHBA-në. Teherani dhe Washingtoni zhvilluan raundin e parë të negociatave në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, i cili përfundoi pa një marrëveshje më 12 prill.

Ata njoftuan një armëpushim dyjavor më 8 prill, të ndërmjetësuar nga Pakistani. Armëpushimi erdhi pas javësh armiqësish që filluan me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në fund të shkurtit.

Në përgjigje, Irani u hakmor me sulme ndaj Izraelit dhe vendeve të tjera rajonale që strehonin asete amerikane.

MARKETING