Po thellohen ndasitë në ekipin e Donald Trumpit

Po thellohen ndasitë në ekipin e Donald Trumpit

Disa këshilltarë të presidentit amerikan, Donald Trump po e këshillojnë atë që të jetë i kujdesshëm ndaj deklaratave të Moskës mbi dëshirën për paqe me Ukrainën, duke theksuar se presidenti rus, Vladimir Putin ende nuk ka treguar një qëllim të vërtetë për të ndalur luftimet, raporton Wall Street Journal.

Burimet thonë se në këtë grup janë Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe dërguari i posaçëm për Ukrainën, Keith Kellogg.

Sipas informacionit, grupi këshillon një qasje më të kujdesshme në negociatat me Putinin dhe një qëndrim më të ashpër ndaj kërkesave të Moskës për dorëzime territoriale nga Kievi.

Megjithatë, Trump aktualisht është më shumë në favor të mendimit të një dërguari tjetër amerikan të posaçëm, Steve Witkoff, i cili beson se Putin kërkon paqe, pas dy takimeve me të në Moskë, sipas zyrtarëve.

WSJ shkruan se madje edhe ata këshilltarë të Trumpit që mbështesin një qasje më të ashpër ndaj Moskës, e mbështesin qëllimin e tij për të ndaluar luftën.

Megjithatë, sulmi me raketa rus më 13 prill, në të cilin humbën jetën 35 persona dhe u plagosën 100 të tjerë në qytetin e Sumit, vetëm sa e thelloi ndarjen brenda ekipit të Trumpit. /Telegrafi/

MARKETING