Po përgatitet ligj i ri për tekstet shkollore
Është duke u përgatitur draft-versioni i parë i Ligjit të ri për tekstet shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm, për të cilin është duke punuar grup i përbërë nga përfaqësues të disa institucioneve dhe faktor të interesuara në procesin edukativo-arsimor. Kjo është nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Shërbimit Pedagogjik, me të vetmin qëllim që të avancohet cilësia e përmbajtjes së teksteve shkollore, të zvogëlojë paraqitjet për gabime të natyrës së ndryshme në përmbajtje dhe njëkohësisht të thjeshtojë procesin e prokurimit dhe dërgimit në kohë deri te shkollat. “Nevoja për zgjidhje të re ligjore në interes të sistemit arsimor dhe cilësisë së procesit edukativo-arsimor në vend është më se e dukshme për shkak të domosdoshmërisë së vendosjes së më shumë filtrave shtesë për kontroll gjatë përgatitjes dhe miratimit të përmbajtjes së teksteve shkollore, si edhe gjetja e mënyrës për të inkurajuar sa më shumë konkurrencë, gjegjësisht numër më të madh autorësh me dorëshkrimet e tyre, si dhe recensentëve për miratimin e dorëshkrimeve për të aplikuar në shpalljet publike”, informon MASH.
Në zgjidhjen e re ligjore, thekson Ministria, do të integrohen të gjitha propozimet konstruktive të cilat që nga janari kanë arritur në adresën e MASH-it, kur opinioni u ftua të jepte vërejtje dhe sugjerime për Zgjidhjen ekzistuese ligjore, e cila është bazë për zhvillimin e zgjidhjes së re më të mirë. “Debati publik do të vazhdojë me përcjelljen e projekt-zgjidhjes ligjore në Qeveri, prej nga do të publikohet në sistemin ENER ,ndërsa më pas do të përcillet në Kuvend për diskutim përfundimtar dhe miratim përfundimtar”, njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës.