PLD: Zgjedhja e Prokurorit të ri nuk sjell drejtësi, por zëvendëson ndikimin politik
MARKETING
Nga Partia Liberale Demokratike (PLD) vlerësojnë se zgjedhja e Prokurorit të ri Publik të Shtetit nuk përbën hap përpara drejt forcimit të drejtësisë, por vetëm një zëvendësim të ndikimit të një partie me një tjetër.
MARKETING
Sipas tyre, dorëheqja e prokurores Lençe Ristoska është dëshmi shtesë se sistemi po i largon profesionistët, duke u hapur rrugë personave që, siç thonë ata, zbatojnë politika të diktuara nga qeveria.
Në reagimin e plotë, PLD thekson se situata aktuale do të ishte ndryshe nëse do të ishte pranuar propozimi i tyre që Prokurori Publik i Shtetit të zgjidhet me shumicë prej dy të tretash në Parlament. Ata akuzojnë se, në vend të konsensusit dhe profesionalizmit, është zgjedhur qasje partiake që, sipas tyre, ndikon drejtpërdrejt në punën e prokurorisë.
Nga kjo parti paralajmërojnë se mungesa e drejtësisë ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, duke theksuar se pa siguri ligjore nuk ka investime, zhvillim apo perspektivë për të rinjtë. Ata shtojnë se një sistem i tillë gjyqësor rrit mosndëshkimin për krimin dhe thellon pasigurinë në vend.
PLD gjithashtu kritikon deklaratat e qeverisë për reforma, duke vlerësuar se, nëse vazhdohet me këtë qasje, mesazhi për qytetarët është negativ dhe nxit largimin e të rinjve nga vendi.
Në fund, nga kjo parti bëjnë thirrje që të merren parasysh propozimet e tyre, duke theksuar se ato synojnë përmirësimin e standardit të jetesës, forcimin e drejtësisë dhe ndërtimin e një shteti që u shërben qytetarëve, e jo interesave partiake.

