Plas te PSG, Donnarumma përjashtohet nga Superkupa e Europës

Situata e Gianluigi Donnarummas te Paris Saint-Germain po bëhet gjithnjë e më e tensionuar.
Portieri i Kombëtares italiane, pas kontributit vendimtar në fitoren historike të Champions League nga PSG, nuk është thirrur për Superkupën e Europës dhe është vendosur në listën e largimeve.
Portieri italian, një nga protagonistët kryesorë të sezonit fantastik që u kurorëzua me fitoren e Champions League, nuk është grumbulluar për ndeshjen ndaj Tottenham, të vlefshme për Superkupën e Europës.
Klubi francez ka blerë Lucas Chevalier nga Lille dhe ka bërë të qartë se do të jetë ai portieri i së ardhmes.
I habitur dhe kritik ndaj kësaj zgjedhjeje është ish-portieri i Milanit, Christian Abbiati, i cili në një intervistë për La Gazzetta dello Sport është shprehur: “Ka ndodhur diçka që nuk e dimë dhe atëherë është çështje e tyre, ose është një gjë pa kuptim, pa logjikë. Ju thoni që ai u ka fituar gjysmën e Champions-it, unë them më shumë se gjysmën. Dhe tani dëgjoj që nuk qenka i mirë me topin në këmbë …”
Edhe ish-portieri Gianluca Pagliuca, në një intervistë për La Stampa, nuk beson në arsyet teknike që kanë çuar PSG-në ta zëvendësojë me Lucas Chevalier: “Luis Enrique e ka lavdëruar shpesh pas ndeshjeve me Liverpool, Aston Villa dhe Arsenal, duke e quajtur portier të jashtëzakonshëm. Kjo lëvizje nuk ka sens pas një sezoni triumfues. Për mua është çështje ekonomike.”