Pesë blerjet që duhen ndjekur në Serie A për sezonin 2025/26 – në mesin e tyre edhe një shqiptar

Pesë blerjet që duhen ndjekur në Serie A për sezonin 2025/26 – në mesin e tyre edhe një shqiptar

Sezoni i ri i Serie A është gati të startojë dhe, megjithëse afati kalimtar i verës do të mbyllet pas javës së dytë, disa nga nënshkrimet e reja kanë zgjuar kureshtjen e publikut dhe pritshmëri të larta.

Football Italia ka përzgjedhur pesë futbollistë që pritet të kenë ndikim të madh te klubet e tyre të reja.

Jonathan David (Juventus)

Bianconerët kanë nënshkruar deri tani vetëm dy futbollistë, por transferimi i Jonathan David shihet si një nga më të rëndësishmit në Serie A këtë verë.

Kanadezi erdhi si lojtar i lirë nga Lille dhe ka shënuar tashmë golin e tij të parë në një miqësore ndaj Atalantës. Me aftësinë për të lëvizur mirë në hapësira të ngushta dhe për t’u lidhur me shokët e skuadrës, David shihet si kyç për ëndrrat e Juventusit drejt titullit.

Kevin De Bruyne (Napoli)

Ndoshta nënshkrimi më bujshëm i Serie A këtë verë. Pas një dekade të suksesshme te Manchester City, belgu 34-vjeçar ka zgjedhur një aventurë të re me Napolin.

Ai pritet t’i shtojë cilësi dhe përvojë mesfushës së skuadrës së Antonio Contes, e cila tashmë ka emra si Lobotka, Anguissa dhe McTominay.

Sfida për Conten do të jetë integrimi i De Bruyne pa prishur ekuilibrin taktik. Në ndeshjet parasezonale, belgu ka treguar se ende mund të bëjë diferencën, duke shënuar dy gola dhe dhënë një asist kundër Gironës.

Ardon Jashari (Milan)

Rossonerët kanë bërë një revolucion në mesfushë këtë verë, dhe blerja më e shtrenjtë ka qenë ajo e Ardon Jasharit, për 36 milionë euro.

Mesfushori shqiptar nga Zvicra shihet si një armë e re ofensive, me pritshmëri që të zëvendësojë rolin e Tijjani Reijnders, i transferuar te Manchester City.

Përveç Modric dhe Ricci, të cilët sjellin përvojë dhe stabilitet, Jashari pritet të ofrojë energji dhe kërcënim për gola, duke qenë një nga emrat më të ndjekur këtë sezon në San Siro.

Wesley (Roma)

Roma investoi 25 milionë euro për ta sjellë mbrojtësin e djathtë nga Flamengo, duke e bërë atë blerjen më të shtrenjtë të verës në klub. Wesley, vetëm 21 vjeç, ka një histori të veçantë, pasi dikur kishte menduar të linte futbollin pas pandemisë.

Nën urdhrat e Gian Piero Gasperinit, ai pritet të ketë rol të rëndësishëm në krahun e djathtë, pjesë kyçe në skemat e trajnerit italian. Roma këtë verë ka përforcuar gjithashtu sulmin me Evan Ferguson, një tjetër emër për t’u vëzhguar.

Martin Baturina (Como)

Mesfushori kroat është një blerje që ka kaluar disi nën radar, por talenti i tij e bën një emër premtues për sezonin e ri.

22-vjeçari mund të luajë si mesfushor qendror ose pas sulmuesit, dhe konsiderohet si një nga shpresat më të mëdha të futbollit kroat. Në Como, nën drejtimin e Cesc Fàbregas, ai pritet të zhvillohet edhe më shumë.

Klubi ishte ndër më aktivët në afatin kalimtar, duke sjellë gjithashtu emra si Jesús Rodríguez, Jayden Addai, Nicolas Kühn dhe Alvaro Morata. /Telegrafi/ 

MARKETING