Përsëri është shtyrë procesi gjyqësor për lehonën nga Dibra, mbrojtja e të akuzuarit të parë kërkon përjashtimin e gjykatësit

Seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore Penale lidhur me rastin e lehonës Jëlldëz Veaposka nga Dibra u shty përsëri sot, për shkak të kërkesës së mbrojtjes së të akuzuarit të parë për përjashtimin e gjykatësit.
Avokatët mbrojtës të gjinekologut Muhamed Asani, i cili punonte në spitalin e përgjithshëm të Strugës, kërkojnë që lënda të transferohet për shqyrtim në Gjykatën Supreme në Shkup.
Në seancën e sotme ishte planifikuar të dëgjoheshin dy nga tre ekspertët mjekësorë që kanë përgatitur superekpertizën, pasi raportet e mëparshme të ekspertizës së prokurorisë dhe asaj të mbrojtjes kishin rezultuar kontradiktore.
Rasti ka të bëjë me ngjarjen e vitit 2020, kur Jëlldëz Veaposka, pas një lindjeje me prerje cezariane në spitalin e Strugës, mbeti pa tre organe. Për këtë rast, të akuzuar janë tre mjekë: gjinekologu Muhamed Asani, mjeku Blerton Asasani dhe mjekja Liljana Jovanoska.
Sipas Prokurorit Publik, kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e gjykatësit është një përpjekje për të zvarritur procesin gjyqësor.