Përplasje në degën e Kërçovës, BESA: Veprime pa bazë juridike
Kuvendi Qendror i Lëvizja Besa ka vendosur shkarkimin në tërësi të kryesisë së partisë, si hap formal në kuadër të procesit për bashkimin e koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm politik.
Sipas vlerësimeve politike, ky hap mund të lidhet edhe me zhvillimet e brendshme në parti, përfshirë raportet me nënkryetarin Fatmir Limani, pas kritikave të mëhershme të Kasamit ndaj performancës së ministrave në Qeveri.
Ndërkohë, situata është tensionuar në degën e Kërçovës. Një grup zyrtarësh lokalë ka publikuar një kumtesë ku njoftohen shkarkime brenda strukturës së degës, me arsyetimin e mosrespektimit të statutit dhe mungesës së aktivitetit politik.
Sipas kësaj kumtese, është shkarkuar kryetari i degës, Agim Sadiku, ndërsa nga kryesia janë larguar Bejtulla Emini, Valbona Adili Emini dhe Rexhep Asani. Në të njëjtin njoftim bëhet e ditur se janë emëruar ushtrues detyre për kryetar dhe sekretar të degës deri në mbajtjen e kuvendit të ardhshëm lokal.
Reagimi nga qendra e Lëvizja Besa ka qenë i menjëhershëm. Partia e ka cilësuar kumtesën e degës së Kërçovës si të pabazë juridikisht dhe në kundërshtim me vendimet e organeve qendrore.
Sipas deklaratës zyrtare, të gjitha degët e partisë i nënshtrohen moratoriumit të aktiviteteve partiake, të shpallur në funksion të bashkimit të VLEN-it. Nga partia theksohet se çdo veprim i njëanshëm gjatë kësaj periudhe është i pavlefshëm.
Po ashtu, bëhet e ditur se më 12 shkurt Kuvendi Qendror ka shkarkuar kryesinë dhe ka autorizuar kryetarin Kasami të vazhdojë negociatat për bashkimin e VLEN-it, ndërsa personi që ka nënshkruar kumtesën e degës së Kërçovës është shkarkuar më herët nga organet qendrore të partisë.

