Përmbytjet godasin veriun e Francës, detyrojnë evakuimin e shkollave dhe aktivizimin e reagimit emergjent
Autoritetet në veri të Francës kanë aktivizuar planin e reagimit emergjent, pasi përmbytjet e rënda prekën rreth 25 komuna në departamentin Pas-de-Calais, duke detyruar evakuimin e dy shkollave, transmeton Anadolu.
Siç raporton transmetuesi BFMTV, departamenti është në nivelin portokalli të alarmit meteorologjik për reshje shiu dhe përmbytje që nga e marta, ndërsa rritja e nivelit të ujërave ka prekur disa komunitete dhe ka penguar qarkullimin rrugor.
Sipas transmetuesit, autoritetet aktivizuan planin e reagimit emergjent për të koordinuar operacionet e shpëtimit dhe ndihmës, ndërsa situata u përkeqësua.
Deri më sot nuk ishte raportuar për viktima.
Si masë parandaluese ndaj përmbytjeve të mëtejshme, autoritetet kërkuan gjithashtu mbylljen e shkollave fillore, të mesme të ulëta dhe të mesme të larta në tri zona ndërkomunale.
Rreth 30 rrugë departamentale janë prekur, ndërsa afërsisht 25 komuna po përballen me vështirësi të konsiderueshme për shkak të rritjes së nivelit të ujërave dhe rrjedhjeve sipërfaqësore.
Autoritetet franceze të meteorologjisë paralajmëruan se reshjet e mëtejshme mund ta përkeqësojnë situatën, ndërsa parashikimet tregojnë se priten edhe 30 deri në 50 milimetra reshje shtesë, me sasi lokalisht edhe më të larta.
Autoritetet paralajmëruan se sasia e përgjithshme e reshjeve mund të arrijë në 130 milimetra, ndërsa në disa zona deri në 200 milimetra.
Shërbimi i monitorimit të përmbytjeve paralajmëroi gjithashtu për rrezik të konsiderueshëm përmbytjesh, veçanërisht përgjatë lumenjve Canche dhe Course.
Sipas shërbimit, priten dalje të mëtejshme të lumenjve nga shtrati nga mbrëmja e së enjtes deri të premten.
Përgjatë bregdetit parashikohen gjithashtu erëra të forta, me shpejtësi të rafaleve që mund të arrijnë deri në 100 kilometra në orë.

