Përkeqësohet gjendja e Joe Biden, djali i tij zbulon detaje: Kanceri është përhapur në kocka
Gjendja shëndetësore e ish-presidentit amerikan Joe Biden është rënduar, pasi kanceri agresiv i prostatës me të cilin u diagnostikua është përhapur edhe në pjesë të tjera të trupit, përfshirë kockat.
Lajmi është bërë i ditur nga djali i tij, Hunter Biden, gjatë një interviste për BBC. Ai ka treguar se sëmundja është përhapur dhe se 83-vjeçari po përballet me dhimbje të forta.
“Është përhapur në kocka dhe më tej. Është shumë e dhimbshme dhe në shumë aspekte, dobësuese”, deklaroi Hunter Biden.
Joe Biden u diagnostikua në maj të vitit 2025 me një formë agresive të kancerit të prostatës. Gjatë vitit të kaluar, ai iu nënshtrua gjithashtu trajtimeve për disa dëmtime kanceroze në lëkurë, përfshirë ndërhyrje dhe trajtim me rrezatim.
Pavarësisht problemeve shëndetësore, ish-presidenti ka vijuar të jetë aktiv në jetën publike. Së fundmi, ai mbajti fjalimin kryesor në një aktivitet për mbledhjen e fondeve për Partinë Demokratike në Maryland.
Hunter Biden tha se babai i tij vazhdon të luftojë me sëmundjen dhe se do të vijojë ta bëjë këtë për sa kohë të jetë gjallë.
Edhe Jill Biden ka folur së fundmi për gjendjen shëndetësore të bashkëshortit të saj. Ajo ka deklaruar se trajtimi vazhdon dhe se sëmundja tashmë është bërë pjesë e përditshmërisë së ish-presidentit.
Kanceri i prostatës prek kryesisht burrat në moshë të madhe dhe në shumë raste zhvillohet ngadalë. Megjithatë, në fazat e avancuara mund të përhapet në kocka dhe organe të tjera. Kur sëmundja ka dhënë metastaza, trajtimi zakonisht synon kontrollin e saj dhe lehtësimin e simptomave.
Joe Biden ka pasur edhe më herët probleme serioze shëndetësore. Në vitin 1988, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje për një aneurizëm në tru, një problem që në atë kohë rrezikoi edhe karrierën e tij politike.
Familja Biden është përballur edhe me një tjetër humbje të rëndë të lidhur me kancerin. Djali i tij, Beau Biden, ndërroi jetë në vitin 2015, në moshën 46-vjeçare, pasi vuante nga glioblastoma, një formë agresive e kancerit të trurit.

