Përfundon pa rezultat rundi i ri i dialogut në Bruksel

Përfundon pa rezultat rundi i ri i dialogut në Bruksel

Ka përfunduar në Bruksel takimi mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë më nivele negociatorësh. Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrëvesve, janë diskutuar një sërë temash.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që lidhet me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit.

Bislimi konfirmoi se gjatë vizitës së javës së kaluar, Lajçak dërgoi në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e zbatimit e Deklaratës për të Zhdukurit, si dhe për qasjen e tij se si duhet të vazhdohet me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nen i saj nuk kushtëzon nenin tjetër dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e njërës apo tjetrës pikë të marrëveshjes. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka vullnet në BE për të shmangur një dokument që vetë e ka krijuar dhe publikuar”, tha Bislimi në fund të takimit.

Sipas raportimeve nga Brukseli nga gazetarja e televizionit publik, Gjeraqina Tuhina “Lajçak ka sjellë një ide të re rreth implementimit të Asociacionit, por që pala e Kosovës nuk ka pasur kohë për ta shqyrtuar atë propozim”.

Mirëpo sipas Bislimit, Petkoviq insiston që të zbatohet modeli i Asociacionit sipas marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 dhe nuk dëshiron të lëvizet nga ato korniza.

Sipas këtyre raportimeve që u referohen deklaratave të Bislimit, Lajçaku ka thënë se ka pasur një keqkuptim në lidhje me atë që është raportuar se “BE e konsideron pikënisje të mirë draftin për Asociacionin të propozuar nga Ekipi Menaxhues” dhe se sipas Lajçakut “pikënisje e mirë” është konsideruar fillimi i diskutimeve për Asociacionin.

Deri më tani nuk ka paralajmërime se cilat do të jenë hapat e ardhshëm dhe kur do të takohen sërish Bislimi dhe Petkoviq.

Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.

Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi./Telegrafi/

MARKETING