Përfundoi mbikqyrja në Gjykatën e Kumanovës, ekspertizat do t’i tregojnë arsyet e zjarrit
Prokuroria nga Shkupi është duke punuar në rastin e djegies së bodrumit të Gjykatës së Kumanovës. Sot në mëngjes ka filluar hetimi, të cilin e kryen një prokuror nga Shkupi, si dhe një ekip hetimor nga SPB Kumanovë së bashku me teknikën kriminalistike nga Shkupi, një elektroinxhinier i kualifikuar dhe një inspektor për zjarre. Në inspektim kanë marrë pjesë kryesuesi i Prokurorisë së Kumanovës si dhe prokurori kujdestar nga PTHP Kumanovë.
“Tani hetimet kanë përfunduar, janë udhëhequr nga një prokurore nga Prokuroria Publike e Shkupit, që të mos ketë konflikt interesi, aty do të trajtohet rasti sepse edhe ne jemi të vendosur në godinën e gjykatës. Siç më tha prokurorja nga Shkupi, të gjithë ekspertët kanë qenë në mbikqyrje, së pari nga aspekti i sigurisë mbikqyrja është bërë ashtu siç duhet, nga aspekti penalo-juridik janë dhënë të gjitha urdhërat e nevojshme nga ekspertët. Kishte edhe kimistë, inxhinierë elektrikë dhe ekspertë zjarri. Pra, pasi të bëhen ekspertizat do të përcaktohet shkaku i saktë i zjarrit dhe do të dalim me një njoftim zyrtar nga Prokuroria Publike”, tha kryetarja e prokurorisë së Kumanovës, Teuta Bediu Ramadani.
Prokuroria e Kumanovës ndodhet në të njëjtin objekt me gjykatën dhe prokurorinë e shtetit. Nga zjarri janë përfshirë vetëm hapësirat e bodrumit.
“Meqenëse zjarri nuk e ka prekur institucionin tonë, ne do të pyesim nesër, nëse mund të ndizet rryma, atëherë mund të fillojmë rregullimin dhe funksionimin”, tha Bediu Ramadani.
Ndërsa nga Gjykata e Kumanovës konfirmuan se hetimet kanë përfunduar. Në një prononcim për MIA-n, kryetarja e gjykatës, Snezhana Manev, tha se nga prokuroria kanë marrë udhëzime për funksionimin e mëtutjeshëm të gjykatës.
“Prokuroria na bëri me dije se mund të marrim masa për sanimin e pasojave të zjarrit. Kjo përfshin lidhjen e energjisë elektrike, lidhjen e ujit të cilat janë shkëputur pas zjarrit. Gjithashtu do të riparohen xhamat e dritareve, si dhe do të rinovohet pjesa e bodrumit që është përfshirë nga zjarri. Inspektimi do të tregojë arsyet e zjarrit. Për të gjitha këto drejtime është njoftuar Këshilli Gjyqësor”, tha Manev.
Hyrja e gjykatës dhe katet e sipërme nuk janë djegur. Zjarri në hapësirat e bodrumit të gjykatës së Kumanovës ka rënë pardje në ora 01:35. Është shuar nga disa ekipe të Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve të Kumanovës pardje dhe dje, pasi kishte duke dalë tym nga arkivi i shtresuar.