Përbërja e re e qeverisë serbe: Daçiq ministër i Brendshëm, Vulin zëvendëskryeministër

Përbërja e re e qeverisë serbe: Daçiq ministër i Brendshëm, Vulin zëvendëskryeministër

Mandatari për formimin e Qeverisë së Serbisë, Millosh Vuçeviq, propozoi të hënën emrat e ministrave të rinj në kabinet. Siç paralajmëroi, Qeveria e tij do të përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol, transmeton Ora News.

Në pozitën e zëvendëskryeministrit do të rikthehet Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – mes tjerash për shkak të lidhjeve me Rusinë.

Shefi aktual i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Mbrojtjes do të jetë Bratisllav Gashiq, deri më tash ministër i Policisë.

Marko Gjuriq, ish-ambasador i Serbisë në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi, do t’i bashkohet Qeverisë si ministër i Punëve të Jashtme.

Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popoviq, do të jetë po ashtu pjesë e Qeverisë si ministër pa portofol.

Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, kryetare e partisë së djathtë, Zavetnici, do ta drejtojë Ministrinë për Përkujdesje Familjare.

Kjo parti, deri më tani, ka vepruar në opozitë, por, pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, ka nisur bashkëpunim me Partinë Përparimtare Serbe, që ka pushtetin.

Si partnere e saj në koalicion, do të marrë pjesë edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale në Serbi, që do të mbahen më 2 qershor.

MARKETING