Për të tetin vit në vend të parë, Finlanda kryeson sërish Raportin Botëror të Lumturisë

Finlanda kryeson sërish Raportin Botëror të Lumturisë, i cili u publikua të enjten (20 mars) dhe mat mbështetjen sociale, të ardhurat, shëndetin, lirinë, bujarinë dhe mungesën e korrupsionit për të përcaktuar lumturinë kombëtare të një vendi.
Njerëzve në 143 vende dhe territore u kërkohet të vlerësojnë jetën e tyre në një shkallë nga zero në 10, ku 10 përfaqëson jetën e tyre më të mirë të mundshme.
Finlanda qëndron sërish në vendin e parë për të tetin vit – me një rezultat mesatar prej 7.75 – e ndjekur nga Danimarka, Islanda dhe Suedia, ndërsa Afganistani është renditur në vendin e fundit me rezultate 1.36, është shprehur Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Oksfordit dhe redaktori i Raportit Botëror të Lumturisë, Jan-Emmanuel De Neve
“Në raportin botëror të lumturisë të këtij viti, kemi Finlandën përsëri në krye dhe kënaqësia mesatare e jetës në Finlandë është rreth 7.75 pasi njerëzit vetë-raportojnë mënyrën se si po shkon jeta e tyre. Kjo shifër është shumë e lartë. Ndërsa pas Finlandës vjen Danimarka, Suedia dhe Islanda. Vendi i fundit në raport është Afganistani me një kënaqësi mesatare nga jeta 1.3 nga 10, duke u bazuar në mënyrën se si njerëzit vetëvlerësojnë mënyrën se si po shkon jeta e tyre.”
Sipas Profesor Jan-Emmanuel De Neve, ndër faktorët që kontribuan në mirëqenien e njerëzve ishte PBB për frymë, shpërndarja e pasurisë, një shtet i mirëqenies që ofron stabilitet psikologjik dhe një jetëgjatësi të shëndetshme.
“Ata kanë shumë burime, vecanërisht Prodhimi i Brendshëm Bruto, të cilin e ndajnë në mënyrë të barabartë. Ata gjithashtu e rishpërndajnë këtë nivel të të ardhurave përmes shtetit të mirëqenies, i cili merr dhe ndihmon njerëzit që janë në vështirësi. Dhe kjo u jep atyre një rrjet sigurie, e cila mundëson siguri psikologjike, gjë që është padyshim shumë e rëndësishme për mënyrën sesi ndihen njerëzit. Dhe pastaj, ata shfaqin stile jetese të shëndetshme, sjellje të shëndetshme, duke rezultuar në jetëgjatësi të shëndetshme dhe një sistem të kujdesit shëndetësor i cili është kryesisht universal dhe falas. Dhe më e rëndësishmja, mbështetja sociale. Pra, ata i besojnë njëri-tjetrit, por edhe institucioneve. Dhe kjo rezulton të jetë me të vërtetë e rëndësishme dhe pak diferencuese nga vendet e tjera të pasura me jetëgjatësi të gjatë”
De Neve tha gjithashtu se raporti, i cili këtë vit u fokusua në temën e “kujdesit dhe ndarjes”, zbuloi se ndarja e vakteve me të tjerët ishte e lidhur fort me mirëqenien në të gjitha rajonet globale. De Neve tha se raporti tregoi gjithashtu një rritje të përgjithshme të ankthit, shqetësimit dhe stresit në mbarë botën.
“Trubulenca më e madhe politike, le të themi, këto ditë, luan shumë rol. Dhe ne e kuptojmë këtë në emocionet negative si ankthi, shqetësimi, stresi për shembull, në mbarë botën, shkalla e shqetësimit të njerëzve është rritur jashtëzakonisht.”
Raporti vjetor i Lumturisë Botërore, i nisur në vitin 2012 për të mbështetur qëllimet e Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm, bazohet në të dhënat nga kompania analitike amerikane Gallup, të analizuara nga një ekip global që tani drejtohet nga Universiteti i Oksfordit.