Për rreth njëzet prej të lënduarve në Koçan, procesi i shërimit mund të zgjasë deri në dy vjet

Rreth njëzet prej të lënduarve në fatkeqësinë e Koçanit do të kenë nevojë për rehabilitim afatgjatë, tek disa prej tyre rikuperimi mund të zgjasë edhe deri në dy vjet. Kështu sot theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i cili theskoi se në kuadër të Ministrisë po kryhen të gjitha aktivitetet e nevojshme për pritjen dhe kujdesin e vazhdueshëm të të gjithë të lënduarve në këtë fatkeqësi.
“Është bërë vlerësimi nga ekspertët e Britanisë së Madhe për atë se sa kohë do të duhet për rehabilitimin e tyre. Tashmë e kemi listën e të gjithë atyre që do të mbahen më shumë jashtë vendit. E dimë tashmë edhe periudhën se sa do të zgjasë rehabilitimi i tyre”, tha Taravari.
Ai tha se kohëzgjatja e rehabilitimit ndryshon, procesi i rikuperimit të tyre mund të zgjasë nga një deri në 24 muaj në rastet më të rënda.
Taravari theksoi se do të tentohet të sigurohen mjete për të mbuluar shpenzimet e qëndrimit të disa familjarëve të atyre pacientëve që do të qëndrojnë jashtë vendit për rehabilitim për një periudhë më të gjatë.
Sa i përket gjendjes së të lënduarve në aksidentin në Koçan, informacionet e fundit janë se nga 47 pacientë që trajtohen jashtë vendit, vetëm njëri është në gjendje kritike.
Prandaj për sot nuk është paraparë kthimi i asnjërit prej të lënduarve që po trajtohen jashtë vendit. Është paralajmëruar rikthimi i njërit prej tyre nesër.
Aktualisht në institucionet shëndetësore në vend janë pesë pacientë të shtruar, dy në spitalin “Shën Naumi i Ohrit” dhe në “Sistina”, ndërsa në Klinikën për Kirurgji Plastike është vetëm një pacient, dy po trajtohen në kushte shtëpiake, ndërsa vijnë për trajtim në qendrën klinike.