Pentagoni po shqyrton veprime ushtarake për të siguruar kontrollin e Kanalit të Panamasë?

Pentagoni po shqyrton veprime ushtarake për të siguruar kontrollin e Kanalit të Panamasë?

Ushtria amerikane duhet të punojë për të ofruar opsione për të siguruar që SHBA të ketë akses të plotë në Kanalin e Panamasë, deklaruan dy zyrtarë amerikanë.

Presidenti Donald Trump ka thënë vazhdimisht se dëshiron të “marrë përsëri” Kanalin e Panamasë, i cili ndodhet në pjesën më të ngushtë të isthmusit midis Amerikës së Veriut dhe Jugut dhe konsiderohet si një nga rrugët ujore më të rëndësishme strategjike në botë.

Por, Trump nuk ka ofruar specifika se si do ta bënte këtë, ose nëse mund të kërkohen veprime ushtarake.

Një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se një dokument, i përshkruar si një udhëzim i përkohshëm i sigurisë kombëtare nga administrata e re, i bëri thirrje ushtrisë të shikonte opsionet ushtarake për të mbrojtur hyrjen në Kanalin e Panamasë.

Një zyrtar i dytë tha se ushtria amerikane kishte një gamë të gjerë opsionesh të mundshme për të mbrojtur aksesin, duke përfshirë sigurimin e një partneriteti të ngushtë me ushtrinë e Panamasë.

Bëhet e ditur se Pentagoni publikoi për herë të fundit një Strategji të Mbrojtjes Kombëtare në vitin 2022, një dokument që përcakton prioritetet për ushtrinë, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Një dokument i përkohshëm përcakton udhëzime të gjera të politikave, njësoj siç kanë bërë urdhrat ekzekutivë të Trumpit dhe vërejtjet publike, përpara një dokumenti politikash më të konsideruar si një NDS formale.

Dokumenti i përkohshëm u raportua fillimisht nga CNN.

NBC News më herët raportoi se Shtëpia e Bardhë kishte urdhëruar Pentagonin të krijonte opsione për Kanalin e Panamasë.

Ndryshe, Trump ka pohuar se SHBA duhet të rimarrë kanalin sepse Kina e kontrollon atë dhe mund të përdorë rrugën ujore për të minuar interesat amerikane.

Në fjalimin e tij inaugurues në janar, Trump përsëriti akuzat se Panamaja ka thyer premtimet që ka bërë për transferimin përfundimtar të kanalit në 1999.

Por, çdo lëvizje e një fuqie të huaj për të marrë kanalin me forcë, pothuajse me siguri do të shkelte ligjin ndërkombëtar.

SHBA dhe Panamaja janë të detyruara nga traktati të mbrojnë kanalin kundër çdo kërcënimi ndaj neutralitetit të tij dhe lejohen të ndërmarrin veprime të njëanshme për ta bërë këtë.

SHBA fitoi të drejtat për të ndërtuar dhe operuar kanalin në fillim të shekullit të 20-të.

Në një traktat të nënshkruar në vitin 1979, gjatë administrimit të presidentit Demokratik Jimmy Carter, SHBA ra dakord t’i jepte kontrollin e kanalit Panamasë në fund të vitit 1999. /Telegrafi/

MARKETING