Pendarovski: Nuk më shqetëson zëvendësimi i 20% me gjuhën shqipe

Pendarovski: Nuk më shqetëson zëvendësimi i 20% me gjuhën shqipe

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të debatit për ndryshimet kushtetuese në vend, i pyetur nga Portalb.mk në lidhje me propozimin për zëvendësimin e 20 përqindëshit me gjuhën shqipe në kushtetutë, deklaroi se kjo nuk e shqetëson aspak pasi është diçka e natyrshme.

Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në të, partia opozitare, Lëvizja Besa ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të ndryshon Amendamentin e pestë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, ku kërkojnë që gjuha shqipe të jetë zyrtare si gjuha maqedonase dhe jo të llogaritet si gjuhë që e flasin së paku 20 përqind e qytetarëve. Për këtë nga Ministria e Drejtësisë njoftuan se kanë pranuar shkresën e kësaj partie dhe se të gjitha kërkesat në lidhje me ndryshimet kushtetuese do të shqyrtohen në grupin punues.

Presidenti i vendit u shpreh se do përkrahte një gjë të tillë.

“E kam thënë shumë herë. Mendoj se e kam thënë këtë dy ose tre vjet më parë. Nuk më shqetëson fare, do të isha i pari që do ta mbështesja sepse mendoj se është një gjë normale e natyrshme. Pse identitetin e pacenueshëm dhe të qartë për të gjithë, të një etnie, duhet ta fshehim pas numrave?“, tha Pendarovski.
Në lidhje me atë se a është planifikuar ndonjë takim te ai me partitë në lidhje me ndryshimet kushtetuese për përshpejtimin e këtij procesi, ai tha se për momentin nuk ka diçka të tillë, por se është i hapur për takime të tilla.

“Unë vazhdoj të them se, jam i hapur për atë lloj forumi apo takimi, por duhet të ketë marrëveshje nga dy, tre, pesë palët e supozuara të përfshira. Nuk ka një pajtueshmëri të tillë për momentin”, tha Pendarovski.

I pyetur se nga kush nuk ka pajtueshmëri, presidenti tha varret si formulohet pyetja.

“Dikush dëshiron të diskutojë modelin kroat, pala tjetër thotë se ne e kemi zgjidhur atë çështje njëzet e vjet më parë. Nëse pala e parë thotë të diskutojmë për bullgarët në kushtetutë, pse jo, pasi kjo është kryesorja për të vazhduar drejt Evropës, pala tjetër thotë jo. Pra, nuk mund të detyrosh dikë me forcë”, theksoi Pendarovski.

MARKETING