Parlamenti i Ukrainës miraton rezolutën për të riemërtuar më shumë se 300 vendbanime
Parlamenti ukrainas votoi sot për të miratuar një rezolutë për ndryshimin e emrave të më shumë se 300 vendbanimeve në vend, transmeton Anadolu.
Ligjvënësi ukrainas Oleksii Honcharenko tha në Telegram se rezoluta, e mbështetur nga Verkhovna Rada me 281 vota, do të mundësojë riemërtimin e 328 vendbanimeve.
Një ligjvënës tjetër, Yaroslav Zheleznyak, tha se rezoluta ka të bëjë me vendbanimet që “përmbajnë narrativa ruse dhe sovjetike”.
Zheleznyak tha se ato përfshijnë emra të rusifikuar, si dhe emra kushtuar figurave kyç ruse dhe simboleve sovjetike.
Një shënim shpjegues mbi rezolutën, i publikuar në faqen e internetit të Verkhovna Radas, thotë se rezoluta propozoi të riemërtohen katër rrethe, dhjetë qytete, 56 vendbanime dhe 262 fshatra në 22 rajone.
Më tej shtohet se 332 propozime u shqyrtuan nga parlamenti.
Në faqen e internetit njoftohet se 14 ligjvënës e kundërshtuan rezolutën.
Që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022, Kievi ka intensifikuar përpjekjet për të hequr simbolet ruse dhe sovjetike në Ukrainë.
Procesi filloi pas pavarësisë së vendit në vitin 1991, por mori vrull pas Revolucionit Maidan të vitit 2014, ku protestat masive çuan në rrëzimin e presidentit të atëhershëm Viktor Janukoviç, i cili u perceptua gjerësisht si një figurë proruse.