Paralajmërimi i OKB: Zgjidhja me 2 shtete për izraelitët dhe palestinezët po zbehet

Paralajmërimi i OKB: Zgjidhja me 2 shtete për izraelitët dhe palestinezët po zbehet

Zyrtarja e lartë e Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme paralajmëroi të martën po zbehen mundësitë për arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët.
“Njerëzit në rajon mund të dalin nga kjo periudhë në paqe, me siguri dhe dinjitet”, tha Sigrid Kaag, koordinatore speciale për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Megjithatë, ky mund të jetë shansi ynë i fundit për të arritur zgjidhjen me dy shtete”.
Më vonë, ajo u tha gazetarëve se ndikimet e konfliktit, gjendja në Gazë, zgjerimi i vendbanimeve izraelite dhe kërcënimet për aneksimin e Bregut Perëndimor po e shtyjnë më larg një zgjidhje me dy shtete.

“Pra, qëllimi im është t’i kujtoj këshillit se deklaratat janë një gjë, por ajo që na duhet është të veprojmë”, tha ajo. “Dhe kjo është zgjidhja me dy shtete, pasi është një zgjidhje e realizueshme, gjeografikisht, por ajo po shuhet para syve tanë. Dhe vetëm me fjalë kjo zgjidhje nuk arrihet. Duhet angazhim politik dhe diplomaci aktive”, tha ajo.

Në Këshill, zonja Kaag shprehu shqetësim për zgjerimin e operacioneve ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor, që nisën më 21 janar, veçanërisht në Xhenin, Tubas dhe Tulkarm.

Armëpushimi në Gazë

Zonja Kaag tha se në Gazë, duhet të zbatohet marrëveshja e armëpushimit me tre faza; të realizohet lirimi i pengjeve si dhe të shmanget me çdo kosto rifillimi i luftimeve.

“U bëj thirrje të dyja palëve që të respektojnë plotësisht angazhimet e tyre për marrëveshjen e armëpushimit dhe të përfundojnë negociatat për fazën e dytë”, tha ajo. “I përgëzoj vende ndërmjetësuese, Egjiptin, Katarin dhe Shtetet e Bashkuara, për punën e tyre të vendosur në arritjen e fazës së parë të armëpushimit dhe përpjekjeve për sa i përket fazës së dytë”, theksoi ajo.

Ambasadorja në detyrë e Shteteve të Bashkuara tha se administrata e Presidentit Trump po vazhdon punën për të siguruar zbatimin e plotë të marrëveshjes.

MARKETING