Paraburgim për Ratko Kapushevski, Asmir Jahovski në arrest shtëpiak

Gjykata Penale në Shkup ka caktuar masa të paraburgimit për Ratko Kapushevskin, Ardian Muçën dhe Erxhan Sulkoskin, duke i akuzuar për rrezik arratisjeje dhe mundësinë e ndikimit mbi dëshmitarët.
Kapushevski dhe Sulkoski janë pronarët e kompanisë RKM, e cila ka realizuar furnizimet e mazutit për Termocentralin Negotinë, me një vlerë totale që kalon 167 milionë euro. Prokuroria pretendon se ky proces ka qenë i shoqëruar me keqpërdorime dhe pastrim parash.
Ardian Muça ka qenë drejtor i një sektori në Entin për Menaxhimin e Burimeve (EMV).
Në lidhje me Asmir Jahoskin, pronar i kompanisë “Pucko Petrol” dhe djali i deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski, gjykata ka vendosur arrest shtëpiak, pasi prokurori ka ndryshuar kërkesën dhe ka hequr dorë nga masa më e rreptë e sigurisë.
Për shtatë persona të tjerë, janë caktuar masa sigurie të kujdesit.
Në total, 11 individë, përfshirë Kapushevskin dhe Jahoskin, janë të dyshuar për abuzime në tenderin milionësh për furnizimin me mazut për TEC Negotinë.
Ndërkohë, Vasko Kovaçevski, ish-drejtor i EMV-së, është shpallur në arrati.