Papa Françesku sërish bën thirrje për armëpushim në Gaza

Papa Françesku sërish bën thirrje për armëpushim në Gaza

Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve dhe presidenti i Vatikanit, Papa Françesku tha se “mendon për situatën serioze që vazhdon në Palestinë dhe Izrael” dhe bëri thirrje për armëpushim, transmeton Anadolu.

Papa mbajti lutjen tradicionale të së dielës nga dritarja e zyrës së tij me pamje nga sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan dhe pas lutjes foli për konfliktin izraelito-palestinez.

“Mendoj për këtë situatë serioze në Palestinë dhe Izrael ku shumë njerëz kanë humbur jetën. Ju lutem ndaloni. Ndërpriteni zjarri në emër të Zotit”, është shprehur Papa.

Ai theksoi seriozitetin e situatës humanitare. “Shpresoj të provohen të gjitha rrugët që konflikti të mos zgjerohet më tej. Uroj që ndaj të plagosurve të sigurohet ndihmë dhe të dërgohen ndihma për njerëzit në Gaza ku situata humanitare është shumë serioze”, tha Papa.

Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve përsëriti thirrjen e tij për lirimin e pengjeve. “Në mesin e tyre ka shumë fëmijë. Ata duhet të kthehen në familjet e tyre. Po, i mendojmë fëmijët, i mendojmë të gjithë fëmijët që ndodhen brenda kësaj lufte, në të njëjtën mënyrë mendojmë edhe të gjithë fëmijët në Ukrainë dhe brenda konflikteve të tjera. Në këtë mënyrë vritet e ardhmja e tyre. Lutemi të kemi forcën për të thënë ‘Mjaft'”, tha ai.

Papa edhe më parë ka bërë thirrje për armëpushim në konfliktin Izrael-Palestinë gjatë lutjes të së dielës më 29 tetor.

MARKETING