Paga mesatare në shtator 45.466 denarë
Paga mesatare neto në Maqedoni për muajin shtator ka arritur në 45.466 denarë (rreth 740 euro), duke shënuar një rritje të lehtë prej 115 denarësh krahasuar me gushtin, ose 0.3%. Megjithatë, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, rritja vjetore është e lartë – 9.3%. Edhe më e theksuar është rritja në periudhën janar–shtator 2025 kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2024, e cila arrin 9.9%.
Pavarësisht këtyre rritjeve, sindikatat theksojnë se kostoja e jetesës vazhdon të jetë tepër e lartë. Sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, një familje me katër anëtarë ka nevojë për të paktën 65.173 denarë për të mbuluar shportën minimale sindikale, ndërsa shpenzimet rriten në rreth 80.000 denarë nëse familja paguan qira ose ka kredi për banesë.
“Jeta është sërish tepër e shtrenjtë për qytetarin dhe punëtorin e Maqedonisë”, deklaroi Ivan Peshevski nga Lidhja e Sindikatave, duke theksuar se paga mesatare po rritet, ndërsa paga minimale ka mbetur e pandryshuar që prej marsit. Për këtë arsye, sindikatat kërkojnë që paga minimale të rritet në 600 euro.

