Padi penale kundër kancelarit gjerman dhe ministrit të jashtëm për ndihmë në gjenocidin e Izraelit në Gaza

Padi penale kundër kancelarit gjerman dhe ministrit të jashtëm për ndihmë në gjenocidin e Izraelit në Gaza

Një grup avokatësh kanë ngritur padi penale kundër kancelarit gjerman, Fridrich Merz dhe ministrave të tij kryesorë, duke i akuzuar ata për ndihmë dhe inkurajim në gjenocidin e Izraelit në Gaza, transmeton Anadolu.

Gjatë një konference për media në Berlin, avokatja Nadija Samour nga Qendra Evropiane e Mbështetjes Ligjore (ELSC) njoftoi se padia e tyre penale gjithashtu përmend ish-kancelarin Olaf Scholz dhe ish-ministren e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, si bashkëpunëtorë.

“Gjenocidi kundër popullit palestinez është transmetuar drejtpërdrejtë për pothuajse dy vjet. Tani është koha për drejtësi dhe llogaridhënie”, tha Samour duke shtuar se zyrtarët aktual dhe të mëparshëm të qeverisë janë bashkëpunëtorë në gjenocid, kryesisht përmes miratimit të tyre të eksporteve të armëve që u përdorën kundër civilëve në Gaza.

Padia akuzon konkretisht shtatë zyrtarë aktualë dhe ish-qeveritarë, përfshirë ministrin aktual të Punëve të Jashtme, Johann Wadephul dhe ministrin e Mbrojtjes, Boris Pistorius, të cilët si anëtarë të Këshillit Federal të Sigurisë së Gjermanisë, miratuan eksportet e armëve në Izrael pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare për krime të luftës dhe spastrim etnik që po ndodhnin në Rripin e Gazës.

Qeveria e mëparshme e koalicionit gjerman, e kryesuar nga social-demokrati Olaf Scholz miratoi armë dhe pajisje ushtarake me vlerë prej më shumë se 485 milionë euro nga tetori i vitit 2023 deri në maj të vitit 2025.

Qeveria e re e koalicionit nën drejtimin e konservatorit Merz, e cila mori detyrën në muajin maj, vazhdoi këtë politikë, duke miratuar dërgesa shtesë armësh në Izrael me vlerë gati 4 milionë euro vetëm në muajin e saj të parë në pushtet, respektivisht deri në qershor të vitit 2025.

Muajin e kaluar, Merz njoftoi se Berlini nuk do të miratojë më eksportet e armëve të reja që mund të përdoren në Rripin e Gazës, por ai nuk u zotua se do të ndalojë dërgimin e armëve dhe pajisjeve që ishin miratuar më parë.

MARKETING