OXFAM: Dy të tretat e pasurisë së botës në duart e ultra të pasurve

OXFAM: Dy të tretat e pasurisë së botës në duart e ultra të pasurve

Ndërsa Forumi Ekonomik Botëror vjetor po zhvillon punimet këtë javë në Davos të Zvicrës, shoqata e njohur bamirëse Oxfam thotë se pasuria ekstreme dhe varfëria ekstreme janë rritur njëkohësisht për herë të parë në 25 vjet. Kjo organizatë bamirëse po bën thirrje për një sistem më të drejt taksimi mes pabarazisë globale në rritje.

Qindra miliarderë, dhjetëra ministra të qeverive dhe guvernatorë të bankave qendrore do të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos këtë javë që shihet si një tubim i individëve më të pasur të botës. Shoqata bamirëse Oxfam thotë se të pasurit po pasurohen më shumë.

“Forumi i Davosit, festivali i pasurisë po rikthehet. Ne po sjellim gjetje të reja alarmante që tregojnë se një për qind e popullsisë më të pasur të botës zotëron dy të tretat e gjithë pasurisë së krijuar në botë që nga viti 2020”, thotë Nabil Ahmed nga shoqata bamirëse Oxfam.

Oxfam thotë se burimi i kësaj pasurie ka rezultuar pjesërisht nga paratë e qeverive të investuara në ekonominë globale pasi pandemia e koronavirusit i detyroi vendet të mbyllnin shumë aktivitete në vitin 2020.

“Kjo ishte thelbësore. Por në të njëjtën kohë, ultra të pasurit ishin në gjendje të rrisnin vlerën e pasurive të tyre nga këto investime të mëdha qeveritare, që rezultuan në rritjen e tregut të aksioneve. Në mungesë të një sistemi taksimi më progresiv, ultra të pasurit ishin vërtet në gjendje të mbushnin xhepat e tyre”, thotë zoti Ahmed.

Sipas shoqatës bamirëse Oxfam, të paktën 1.7 miliardë punëtorë jetojnë tani në vende ku inflacioni po rritet me një ritëm më të lartë se sa pagat e tyre, që do të thotë se ata po varfërohen. Megjithatë, pasuria e miliarderëve është rritur pasi inflacioni po shkakton rritjen e çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

“Ne kemi të dhëna që tregojnë se si nëntëdhjetë e pesë korporata ushqimore dhe energjetike ishin në gjendje të dyfishonin të ardhurat e tyre në vitin 2022”, thotë zoti Ahmed.

Oxfam po bën thirrje për një taksë të veçantë për kompanitë e energjisë dhe ato ushqimore, të cilat kanë patur fitime të mëdha së fundmi. Shoqata bamirëse gjithashtu po bën thirrje për vendosjen e një takse deri në pesë për qind për multimilionerët dhe miliarderët e botës.

“Pabarazia ekstreme nuk është e pashmangshme. Një parakusht strategjik për një botë më të barabartë është taksimi i ultra të pasurve. Kjo nuk do të ndikonte tek infermierët, mësuesit dhe klasën e mesme, por tek individët me të ardhura të larta, duke u siguruar që ata të paguajnë taksa që janë shumë më të drejta”, thotë zoti Ahmed.

Organizatorët e Forumit Ekonomik Botëror në Davos këmbëngulin se takimi u sjell dobi të gjithëve.

“Kemi shumë probleme të rëndësishme. Ne me të vërtetë duhet të gjejmë zgjidhje për luftërat dhe konfliktet. Duhet të shmangim një rënie të re ekonomike. Kemi dhjetë vjet rritje të ulët ekonomike, të ngjashme me atë të viteve 1970. Ne kemi nevojë që të gjitha palët të jenë pjesë e punës së krijimit të një ekonomie globale më të sigurt, më gjithëpërfshirëse dhe në rritje”, thotë Børge Brende, President i Forumit Ekonomik Botëror.

Banka Botërore paralajmëroi në tetor se përparimi në trajtimin e varfërisë ekstreme është ndalur për shkak të rritjes së inflacionit dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike.