OVL-UÇK për të zhdukurit: Serbia mban arkivat, duhet t’i hapë dhe të detyrohet nga ndërkombëtarët
Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kujtuar personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe ka shprehur solidaritet me familjet e tyre.
Përmes një reagimi në Facebook, OVL-UÇK ka thënë se çështja e të zhdukurve nuk duhet të mbetet peng i heshtjes apo kalkulimeve politike.
“Serbia mban arkivat dhe përgjigjet. Ajo duhet t’i hapë ato dhe institucionet ndërkombëtare duhet ta detyrojnë ta bëjë këtë”, thuhet në reagim.
Organizata ka kërkuar zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, llogaridhënie dhe drejtësi për familjet që prej vitesh presin të mësojnë se çfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre.
“Kërkojmë të vërtetën, llogaridhënien dhe drejtësinë. Asgjë më pak. Familjet e tyre nuk do të mbeten kurrë vetëm”, përfundon reagimi i OVL-UÇK-së.

