Osmani uron Donald Trump: Kosova është shteti më pro amerikan në botë

Osmani uron Donald Trump: Kosova është shteti më pro amerikan në botë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar urimet më të përzemërta për Donald Trumpin, pas betimit të tij si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një mesazh drejtuar Presidentit Trump, Osmani ka theksuar se fitorja e tij historike është një pasqyrim i besimit të thellë që populli amerikan ka në udhëheqësinë dhe vizionin e tij për të mbrojtur dhe avancuar vlerat e lirisë dhe demokracisë, vlera që lidhin ngushtë dy vendet.

Osmani ka falënderuar Shtetet e Bashkuara për rolin historik në mbështetje të Kosovës gjatë periudhave më të errëta të historisë së saj dhe ka nënvizuar se angazhimi i SHBA-ve ka shpëtuar popullin kosovar nga një regjim gjenocidal dhe ka kontribuar në krijimin e një Republike të pavarur dhe të qëndrueshme.

Kosova, si një aleat dhe partner krenar i Shteteve të Bashkuara, është e angazhuar për të forcuar marrëdhëniet dhe për të kontribuar në një të ardhme më të sigurt dhe paqësore, ka theksuar Osmani.

Ajo ka shprehur mbështetje për angazhimin e Presidentit Trump në avancimin e njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke besuar se kjo do të çojë në paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Kosova, sipas Presidentes, mbetet kombi më pro-amerikan në botë, dhe është e gatshme të vazhdojë të forcojë partneritetin me SHBA-në për të mirën e popullit dhe brezave të ardhshëm./Telegrafi/

MARKETING