Osmani për skandalin në Kumanovë: Mickoski e humbi mundësinë të tregojë se është Kryeministër i të gjithë qytetarëve

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar pas incidentit në Kumanovë ku janë dëgjuar thirrje raciste dhe anti-shqiptare.
Osmani thotë se thirrjet për “vdekje për shqiptarët”, për “dhoma gazi” dhe për “Maqedoni të pastër”, para një delegacioni të gjerë qeveritar të kryesuar nga Kryeministri, përbëjnë skandal më vete për të cilin duhet të reagojnë të gjithë.
“Mungesa e reagimit nga vetë Kryeministri dhe nga Qeveria, dërgon një mesazh edhe më shqetësues për normalizimin e këtyre trendeve.
Mickoski e humbi mundësinë të tregojë se është Kryeministër i të gjithë qytetarëve, dhe se të paktën simbolikisht është i shqetësuar për fyerjet dhe kërcënimet drejtuar shqiptarëve në vend. Ai duhej të largohej menjëherë nga salla, ose, në minimum, të reagonte publikisht në rrjetet sociale duke i dënuar këto thirrje; gjithashtu, Qeveria humbi rastin të dërgojë një reagim zyrtar, ndërkohë që kemi parë se është në gjendje të prodhojë edhe seri njoftimesh për nevoja shumë më të vogla.
Ky skandal në tribunat e Kumanovës nuk është rast i izoluar, por një tjetër në vargun e ngjarjeve me të cilat pushteti ose e nxit, ose në minimum e normalizon retorikën anti-shqiptare në shoqëri. Le të kujtojmë rastin e Bogevskit, partnerit të koalicionit i cili u bë i njohur për fyerje dhe poshtërime ndaj shqiptarëve, dhe më pas u shpërblye e u mbrojt nga vetë Kryeministri.
Këto janë tendenca të rrezikshme dhe shqetësuese, dhe ata që ia duan të mirën vendit nuk duhet t’i tolerojnë këto shpërthime, por duhet t’i dënojnë qartë dhe pa ekuivok”, thuhet në reagimin e Osmanit.