Osmani nga Gazibaba: Pa dallime politike, ecim bashkë për Çairin

Kandidati i AKI për komunën e Çairit, Bujar Osmani, ka mbajtur një takim me banorë të lagjes Gazibabë, ku theksoi mesazhin e unitetit dhe bashkimit përtej ndasive politike. Në këtë tubim, shumë familje shprehën mbështetjen e tyre për kandidaturën e Osmanit, duke marrë një vendim të përbashkët që, siç u tha në takim, “këtë herë, pa dallim nga qëndrimet e së kaluarës, do të ecim bashkë.”
Osmani deklaroi se ky moment nuk është thjesht pjesë e një fushate elektorale, por një thirrje për dinjitet qytetar dhe për një të ardhme më të mirë për Çairin.
“Ky hap tregon se lëvizja jonë nuk është vetëm një fushatë, por një thirrje për dinjitet. Jam mirënjohës për çdo familje që i bashkohet kësaj rruge dhe i ftoj të gjithë, pavarësisht bindjeve të mëparshme politike, të bëhemi bashkë për Çairin që e duam,” u shpreh Osmani.
Në fund të fjalimit të tij, ai ritheksoi misionin e tij për ta kthyer komunën e Çairit në një vend ku çdo qytetar të ndihet i respektuar dhe të jetojë me dinjitet.