Osmani mirëpret njohjen nga Kenia, falënderon Pacollin

Osmani mirëpret njohjen nga Kenia, falënderon Pacollin

Presidentja Vjosa Osmani e ka mirëpritur vendimin e Republikës së Kenias për ta njohur Ksoovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Ajo thotë se kjo njohje është një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial. Njëkohësisht është edhe njohje e vuajtjeve të gjata e sakrificës shekullore të popullit të Kosovës për liri.

Më tej, presidentja thotë se përgjatë këtyre viteve, ka zhvilluar disa takime të rëndësishme me presidentin Ruto dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve.

“Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do te merret shpejt, bazuar në të drejten ndërkombëtare dhe në sakrificën e gjatë të popullit tonë”, thotë ajo..

Poashtu, Osmani ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar në këtë proces, por në veçanti edhe kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacollin për angazhimin e tij të vazhdueshëm.

“Kosova vazhdon të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit dhe fuqizimit të pozitës së saj ndërkombëtare. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Kenias do të thellohen në fusha të ndryshme, ndaj presim që shumë shpejt të vendosim marrëdhënie diplomatike, duke ndërtuar një partneritet të fortë dhe afatgjatë në mes dy shteteve dhe popujve tanë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

MARKETING