Osmani: Mbrojtje për punonjësit shëndetësorë nga presioni politik

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, zhvilloi sot një takim me punonjësit e sektorit shëndetësor, ku në qendër të diskutimit ishte pozita e tyre dhe sfidat me të cilat përballen çdo ditë.
Gjatë takimit, Osmani theksoi rëndësinë e garantimit të një ambienti pune të lirë nga çdo lloj presioni apo ndikimi politik, duke shtuar se punonjësit shëndetësorë nuk duhet të jenë subjekt i mobingut, as gjatë fushatës zgjedhore dhe as pas saj.
“Punonjësit shëndetësorë duhet të punojnë me dinjitet, lirshëm dhe pa frikë. Premtoj se do të jenë të mbrojtur nga çdo presion politik – tani, gjatë zgjedhjeve dhe pas tyre. Integriteti ynë profesional është një vlerë që do ta ruajmë dhe ndërtojmë së bashku, në funksion të një kujdesi më cilësor për pacientët,” u shpreh Osmani.
Ai garantoi mbrojtje të plotë për të gjithë të punësuarit në sektorin shëndetësor dhe nënvizoi angazhimin për përmirësimin e kushteve të punës.
Në takim u diskutua edhe nevoja për hartimin e politikave të qëndrueshme që do të sigurojnë kushte dinjitoze për mjekët dhe stafin tjetër mjekësor, me qëllim forcimin e sistemit shëndetësor dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.