Osmani: Kombi shqiptar ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon

Osmani: Kombi shqiptar ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, ndërkohë është pritur me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, raporton Anadolu.

Në konferencën e përbashkët për mediat në selinë e Presidencës së Shqipërisë, Begaj dhe Osmani u fokusuan në bashkëpunimin mes dy vendeve, mbështetjen e Shqipërisë ndaj Kosovës, tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe çështje të tjera.

Begaj: Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon

Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria mbështet fuqishëm aspiratat e Kosovës për integrim euroatlantik dhe shtoi se Shqipëria është proaktive për institucionalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n.

Begaj tha se lidhur me bashkëpunimin ndërshtetëror, vëmendja kryesore u përqendrua në forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik në të gjitha aspektet, duke shtuar se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë shumë të mira.

“Karakteri strategjik i marrëdhënieve midis dy shteteve tona është me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të gjithë rajonit. Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kjo ka qenë e mbetet devizë e çdo shtetari në Shqipëri”, tha Begaj.

Ai theksoi se dialogu Kosovë-Serbi i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur sipas tij fuqishëm nga SHBA-ja është rruga e vetme drejt paqes e normalizimit të marrëdhënieve, si dhe të anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në.

Begaj u shpreh se në kuadër të bashkëpunimit rajonal, Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të mbeten faktorë stabiliteti në rajon dhe vende kontribuuese të rëndësishme për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm.

Duke folur për situatën dhe tensionet e fundit në veri të Kosovës, Begaj tha se: “Vlerësova se pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës si dhe ndërhyrjeve hibride nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet një koordinim më i ngushtë dhe më i mirë me parterët tanë kryesorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkimin Evropian”.

Begaj shtoi se askush nuk mund të vërë në pikëpyetje, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe të drejtën e saj për të zbatuar ligjet dhe kushtetutën e vendit.

Duke iu përgjigjur pyetje të gazetarëve për çështjen e kufizimit të zonave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe lëshimit të autorizimit të tij në lidhje me grupin e ri negociator me Greqinë për marrëveshjen e re, Begaj tha se “Po shqyrtohet për të bërë të mundur që autorizimi që do të lëshohet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë (vendimi i vitit 2010 që anuloi marrëveshjen e mëparshme të nënshkruar), me ligjet shqiptare dhe ligjet ndërkombëtare”.

Kujtojmë se Shqipëria dhe Greqia janë dakorduar që t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufizimit të zonave detare mes dy vendeve.

Osmani: Kombi shqiptar ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon

Presidentja Osmani theksoi se kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme.

Ajo tha se me presidentin Begaj diskutuan për të arriturat dhe sukseset e Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, por edhe për sfidat që sipas saj, sfida të cilat duhet t’i tejkalojnë së bashku.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike historike, kulturore e kombëtare që e bën bashkëpunimin tonë dhe lidhjet tona të forta dhe të pathyeshme. Përballë sfidave ne qëndrojmë të bashkuar duke u fokusuar në një qëllim: stabiliteti, prosperiteti dhe integrimi euroatlantik i vendeve tona. Kombi shqiptar gjithnjë ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon dhe me orientim të qartë euro-atlantik”, u shpreh Osmani.

Ajo theksoi se synim shtetëror dhe strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian si dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Osmani thekoi se janë të vendosur për të kontribuar në funksion të paqes dhe stabilitetit dhe të mbrojnë së bashku vlerat të cilat sipas saj “po rrezikohen dhe atakohen nga Rusia dhe satelitet e saj në rajon”.

“Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë e po ashtu për përkrahen e aleatëve dhe partnerëve euroatlantikë. Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi, është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk duhet të lejojmë që plani i Putinit të zbatohet nga Vuçiqi në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.

Osmani theksoi se dialogu me Serbinë është duke vazhduar, por shtoi ajo, natyrisht që rruga e vetme që sjellë paqe dhe stabilitet afatgjatë për gjithë rajonin është atëherë kur rezultati përfundimtar është njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues.

Presidentja e Kosovës është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama dhe do të takohet edhe me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, si dhe do të ketë edhe një takim me grupin e grave deputete.

Gjatë ditës së nesërme Osmani do të marrë pjesë në një aktivitet me rastin e Ditës së Shenjtërimit të Shenjt Terezës. Gjithashtu Osmani do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë dhe do të vizitojë edhe qytetin e Beratit dhe të Durrësit.

MARKETING

UniConverter_20230519143422.gif