Osmani dhe Kurti: Po punojmë në përmbushjen e vizionit të Rugovës, për një Kosovë të integruar në BE dhe NATO
Me rastin e 18 vjetorit të vdekjes së ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe te varri i Rugovës
Osmani tha se Rugova është arkitekt i pavarësisë së Kosovës. Ajo tha se aleancat që i ndërtoi Rugova na duhen edhe tani.
“Sot përkujtojmë presidentin historik të Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova, atin themeltar dhe arkitektin e pavarësisë së vendit tonë, njeriun që ia kushtoj çdo ditë të jetës së tij lirisë dhe pavarësisë së vendit dhe punoj bashkë me popullin e Kosovës dhe aleatët tanë në mënyrë që sot ta gëzojmë këtë ditë”, u shpreh Osmani.
Presidentja më tej shtoi se do të punojnë në përmbushjen e plotë të vizionit të ish-presidenti Rugova, që ishte për një Kosovë të pavarur dhe të integruar në BE e NATO.
“Presidenti Rugova arriti që një kohë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë të ndërtoj aleanca që edhe sot i duhen Kosovës. Prandaj sot e përjetë do ti ruajmë këto aleanca që do të na ndihmojnë të ecim përpara drejt realizimit të plotë të vizionit të presidentit historik për një Kosovë të pavarur, sovrane të integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përjetshme me SHBA-të”, tha Osmani
Kurse kryeministri Albin Kurti, tha se Rugova kujtohet në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe kombëtarizimin e rezistencës civile të popullit të Kosovës.
“Sot në 18 vjetorin e ndarjes nga jeta e kujtojmë për rolin dhe kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në kombëtarizimin e rezidencës së vjetër. Si shkrimtar shqiptar dhe si kritik letrar, presidenti historik Ibrahim Rugova e kuptonte si rrallë kush ndërlidhjen e përfaqësimit politik me kulturën popullore dhe kjo ishte tejet e vlefshme për rezistencën paqësore në vitet e 90’ta”, deklaroi Kurti.
Ndryshe, sot janë bërë 18 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ai vdiq më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cercë të Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.