Ontario e Kanadasë zbaton tarifën 25% për energjinë elektrike – goditen tri shtete të SHBA-së

Ontario e Kanadasë zbaton tarifën 25% për energjinë elektrike – goditen tri shtete të SHBA-së

Kryeministri i Ontarios, Doug Ford thotë se provinca e tij po zbaton një tarifë 25% për eksportet e energjisë elektrike në Minesota, Michigan dhe Nju Jork javën e ardhshme.

“Që nga e hëna, ne do të vendosim një tarifë 25% për energjinë elektrike për 1.5 milionë shtëpi dhe biznese në këto tri shtete”, tha Ford për Wolf Blitzer të CNN të enjten.

“Më shqetëson vërtet që duhet ta bëjmë këtë”, shtoi ai.

Ford kërcënoi të hënën se do të ndërpresë eksportet e energjisë së Ontarios në Shtetet e Bashkuara “me një buzëqeshje në fytyrën time” nëse tarifat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për mallrat kanadeze mbeten në fuqi.

Sipas numrave të qeverisë kanadeze nga viti 2023, Ontario eksporton më shumë energji elektrike në SHBA se çdo provincë tjetër.

Ndërkohë, i pyetur për mundësinë e një pauze katër-javore të tarifave për mallrat kanadeze, kryeministri Justin Trudeau tha se të gjitha masat hakmarrëse të vendit të tij do të mbeten në fuqi nëse Shtetet e Bashkuara nuk heqin plotësisht tarifat e tyre.

Kanadaja zbatoi një tarifë 25% për mbi 1,200 mallra amerikane këtë javë dhe ka kërcënuar të vendosë tarifa për mbi 4,000 të tjera deri më 25 mars, nëse SHBA nuk heq taksat e saj për mallrat kanadeze.

Ndryshe, sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick i tha CNBC të enjten në mëngjes se tarifat për produktet kanadeze në përputhje me traktatin me siguri do të ndërpriten.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një pauzë për produktet meksikane më vonë në mëngjes (sipas kohës lokale). /Telegrafi/

MARKETING