OKB: Mbi 1 milion fëmijë në Gaza përballen me pasojat e urisë dhe kequshqyerjes në përkeqësim

OKB ka paralajmëruar se më shumë se 1 milion fëmijë në Rripin e Gazës po përballen me “pasojat më të rënda të urisë dhe kequshqyerjes në përkeqësim”, ndërsa qasja humanitare mbetet e kufizuar në mënyrë drastike nga Izraeli, transmeton Anadolu.
“Më shumë se 1 milion fëmijë po përballen me pasojat e thella të urisë dhe kequshqyerjes, me raportime për rritje të vdekjeve nga kequshqyerja çdo ditë”, tha në një konferencë për media zëdhënësi i shefit OKB-së, Farhan Haq.
Duke cituar të dhëna nga partnerët e OKB-së për ushqimin, Haq tha se afër 5 mijë nga 56 mijë fëmijë nën moshën 5-vjeç, të cilët u testuan për kequshqyerje në Deir al-Balah dhe Khan Younis gjatë dy javëve të para të korrikut, u gjetën me kequshqyerje akute.
“Kjo është një normë alarmante prej 9 për qind, nga 6 për qind në qershor dhe vetëm 2,4 për qind në shkurt”, tha ai.
Përsa i përket operacioneve humanitare, Haq theksoi se nga 16 përpjekjet e të martës për të koordinuar lëvizjet humanitare brenda Gazës, tetë u lejuan nga Izraeli.
“Dy lëvizje të tjera u miratuan fillimisht, por më pas u penguan në terren. Tre u refuzuan plotësisht, përfshirë edhe dërgimin e pajisjeve mjekësore, ndërsa tre të tjera u anuluan nga organizatorët”, tha ai.
Haq tha se ndihmat që janë sjellë në enklavë gjatë dy muajve të fundit “nuk janë aspak të mjaftueshme për të përmbushur nevojat bazë të mbijetesës së njerëzve”.
“OKB-ja dhe partnerët tanë nuk mund të sjellin sasi të mjaftueshme ndihmash në Gaza për shkak të një serie faktorësh të ndërlidhur, përfshirë pengesat burokratike, logjistike, administrative dhe pengesave të tjera operative që imponohen nga autoritetet izraelite”, shtoi ai.
Haq u shpreh për “konfliktet e vazhdueshme dhe kufizimet e qasjes” brenda Gazës, duke përfshirë “plaçkitjet kriminale dhe incidente të tjera të armëpushimit, ku janë vrarë dhe plagosur njerëz që përpiqeshin të shkarkonin ndihmat.”
“Këto faktorë kanë vënë në rrezik serioz njerëzit dhe stafin humanitar dhe kanë detyruar agjencitë e ndihmës të ndalojnë përkohësisht mbledhjen e ndihmave nga pikat e kalimit të kontrolluara nga autoritetet izraelite”, tha ai.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Palestinës, të paktën 113 palestinezë kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja në Gaza që nga tetori i vitit 2023.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka penguar zbatimin e marrëveshjes për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve me Hamasin dhe ka mbajtur të mbyllura pikat kufitare të Gazës, duke i lënë kamionët me ndihma humanitare të bllokuar përgjatë kufirit.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë në Gaza të paktën 59.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake izraelite ka shkatërruar enklavën dhe sistemin shëndetësor, si dhe ka shkaktuar mungesa të mëdha ushqimore.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.