OKB-ja: Ngrohja globale do të kalojë pragun prej 1,5 gradë Celsius në vitet e ardhshme

OKB-ja: Ngrohja globale do të kalojë pragun prej 1,5 gradë Celsius në vitet e ardhshme

Programi i OKB-së për Mjedisin (UNEP) ka bërë të ditur se ngrohja globale ka të ngjarë të tejkalojë 1,5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale brenda viteve të ardhshme, por temperaturat ende mund të ulen sërish përmes reduktimit të shpejtë të emetimeve dhe ruajtjes së emetimeve neto negative, transmeton Anadolu.

MARKETING

Description of image

“Rritja e temperaturës globale pritet të kalojë pragun prej 1,5 gradë Celsius, me gjasë brenda viteve të ardhshme, duke i çuar rreziqet dhe ndikimet klimatike në nivele gjithnjë e më të rrezikshme, por ende është e mundur që temperaturat të ulen dhe të arrihen objektivat globale të Marrëveshjes së Parisit”, thuhet në një raport të ri të UNEP-it.

Raporti identifikoi një trajektore “tejkalim, kulm dhe rënie” si alternativën më të mirë për të minimizuar si shkallën, ashtu edhe kohëzgjatjen e ngrohjes mbi 1,5 gradë Celsius, përpara se temperatura të rikthehet përfundimisht nën këtë prag.

Kjo trajektore synon të kufizojë kulmin e ngrohjes përmes reduktimeve të thella të emetimeve të gazeve serrë dhe më pas të ulë temperaturat përmes ruajtjes së emetimeve neto negative.

“Nuk ka rezultate të mira nëse mbetemi mbi 1,5 gradë Celsius. Në mbarë globin, valët ekstreme të të nxehtit tashmë po dëshmojnë se ndikimet klimatike do të godasin më shpejt, më fuqishëm dhe do të zgjasin më shumë, duke kushtuar më shumë jetë dhe duke shkaktuar çrregullime më të thella”, tha drejtoresha ekzekutive e UNEP-it, Inger Andersen.

Raporti tha se edhe skenari më optimist parashikon që temperaturat globale të arrijnë kulmin në 1,8 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale, duke tejkaluar objektivin e Marrëveshjes së Parisit për kufizimin e ngrohjes në 1,5 gradë Celsius.

Shumica e skenarëve të tjerë parashikojnë nivele kulmore edhe më të larta.

Rreziqet do të intensifikohen me çdo fraksion shtesë të një gradë ngrohjeje dhe me çdo vit që temperaturat mbeten mbi 1,5 gradë Celsius, thuhet në raport, përfshirë përmes fenomeneve më të rënda ekstreme të motit dhe humbjeve të ekosistemeve.

“Priten dëme të rënda për shëndetin e njerëzve, sigurinë ushqimore, furnizimin me ujë, natyrën, qytetet, infrastrukturën dhe ekonomitë”, shtoi raporti.

Raporti paralajmëroi se gjasat për kalimin e pikave kritike të pakthyeshme rriten si me shkallën, ashtu edhe me kohëzgjatjen e temperaturave më të larta.

“Këto përfshijnë destabilizimin e shtresave të mëdha të akullit, degradimin e pyjeve tropikale të Amazonës dhe çrregullimin e Qarkullimit Meridional Përmbysës të Atlantikut (sistemi i rrymave që transporton ujërat e ngrohta sipërfaqësore drejt veriut dhe ujërat e ftohta të thellësive drejt jugut, duke luajtur rol kyç në rregullimin e klimës)”, thekson raporti.

Disa ndikime ka të ngjarë të shfaqen papritur ndërsa të tjera do të grumbullohen me kalimin e kohës, thuhet në raport.

MARKETING