ODIHR sot zyrtarisht do të fillojë me vëzhgimin e zgjedhjeve lokale

Sot zyrtarisht do të fillojë vëzhgimi nga ana e misionit të OSBE/ODIHR-së, pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) dje njëzëri i miratoi kërkesat për akreditimin e 14-të vëzhguesve ndërkombëtarë.
Vëzhguesit nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) njoftuan dje se sot do të mbajnë konferencë për shtyp mbi hapjen e misionit të vëzhgimit për zgjedhjet e ardhshme lokale në Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, në seancën e djeshme informoi se sot do të mbahet takim i parë zyrtar me përfaqësuesit e Komisionit vëzhgues, me çka edhe formalisht do të fillojë puna e tyre.
“Njoftoj opinionin se prej nesër zyrtarisht do të kemi takim me përfaqësuesit e misionit vëzhgues të ODIHR-së dhe prej sot fillon puna e tyre dhe vëzhgimi zyrtar i zgjedhjeve. Ata do të jenë në komunikim të vazhdueshëm me KSHZ-në dhe do të marrin pjesë në të gjitha seancat e tona të hapura publike”, deklaroi Kondarko në seancën e djeshme.