Oda e Mjekëve: Në vitin 2024 janë raportuar katër sulme nga pacientë ose ndonjë anëtar i familjes së ngushtë ndaj punonjësve shëndetësor

Oda e Mjekëve: Në vitin 2024 janë raportuar katër sulme nga pacientë ose ndonjë anëtar i familjes së ngushtë ndaj punonjësve shëndetësor

Më 12 mars – Ditën Evropiane për ngritjen e vetëdijes për dhunën ndaj mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë, Oda e Mjekëve, si dhe Odat e mjekëve anembanë Evropës, bëjnë thirrje për veprim urgjent për trajtimin e dhunës me të cilën ballafaqohen profesionistët shëndetësorë dhe të pranishme në institucionet shëndetësore, thuhet në kumtesën e sotme të Odës.

“Në vitin 2024, vetëm katër sulme janë raportuar në Odë. Në një rast mjeku është sulmuar fizikisht, në dy raste ka pasur sulm verbal me kërcënim me forcë dhe në një rast një mjek është ekspozuar ndaj ofendimeve në rrjetet sociale. Në të gjitha rastet, sulmet janë kryer nga një pacient ose nga anëtarët e familjes së ngushtë”, theksojnë nga Oda e Mjekëve.

Ata theksojnë se dhuna ndaj punonjësve të shëndetësisë, duke filluar nga abuzimi verbal e deri te sulmet fizike, ka arritur në nivele alarmante.

“Hulumtimi i kryer nga organizatat përkatëse ndërkombëtare vlerëson se mbi 60 për qind e punonjësve të kujdesit shëndetësor në Evropë kanë përjetuar një formë dhune në vendin e tyre të punës. Në një anketë të kryer nga Oda e Mjekëve tre vjet më parë, 78 për qind e mjekëve raportuan se ishin ekspozuar ndaj një lloj dhune në vendin e punës. Prej tyre, 80 për qind janë ekspozuar ndaj dhunës verbale, ndërsa 6,8 për qind kanë përjetuar dhunë fizike. Pothuajse 70 për qind e sulmeve nuk raportohen fare”, theksojnë nga Oda e Mjekëve.

Në deklaratën me shkrim të kryetares së Odës së Mjekëve, prof. dr. Kalina Grivçeva Stardelova, theksohet se në këtë ditë u bëjnë thirrje politikëbërësve që të ndërmarrin veprime të vendosura për të shtypur dhunën ndaj punonjësve shëndetësorë dhe në institucionet shëndetësore në përgjithësi. Kjo, siç shtohet, arrihet përmes zbatimit praktik të zgjidhjeve ligjore tashmë të miratuara për mbrojtjen nga dhuna, marrjes së masave të përmirësuara të sigurisë në spitale, trajnimit të punonjësve të kujdesit shëndetësor për rëndësinë e ndjeshmërisë në marrëdhëniet e tyre me pacientët, si dhe trajnimit për mënyrat për të de-përshkallëzuar konfliktin, mbështetjen psikologjike për ata që janë përballur me problemin, si dhe një fushatë për ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e kultivimit të besimit ndërmjet pacientëve dhe mjekëve.

Këtë vit, Oda, përmes një fushate në rrjetet sociale, na rikujton rëndësinë e kultivimit të një partneriteti midis mjekëve dhe pacientëve, bazuar në mirëkuptimin dhe respektin reciprok, për të cilin mori mbështetje edhe nga shoqatat e pacientëve.

Me nismën dhe avokimin e Odës së Mjekëve, siç shtohet, në vitin 2023 u bënë ndryshime në Kodin Penal, duke e cilësuar dhunën ndaj punonjësve të shëndetësisë dhunë ndaj zyrtarëve dhe vepër penale.

MARKETING