OBSH: Shpërthimi i hantavirusit në anijen turistike nuk pritet të shkaktojë epidemi të madhe

OBSH: Shpërthimi i hantavirusit në anijen turistike nuk pritet të shkaktojë epidemi të madhe

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), shpërthimi i hantavirusit i lidhur me një anije turistike nuk pritet të zhvillohet në një epidemi të madhe dhe se situata është ndryshe nga pandemia COVID-19, transmeton Anadolu.

“Bëhet fjalë për një mjedis specifik dhe të kufizuar ku njerëzit kanë kontakt të afërt dhe të zgjatur”,

“Bëhet fjalë për një mjedis specifik dhe të kufizuar ku njerëzit bashkëveprojnë në kontakt të ngushtë të zgjatur”, tha për gazetarët në Gjenevë drejtori i OBSH-së për operacionet e alarmit dhe reagimit ndaj emergjencave shëndetësore, Abdirahman Mahamud.

“Nuk presim një epidemi të madhe, duke pasur parasysh përvojën e shteteve anëtare dhe masat që kanë ndërmarrë. Besojmë se kjo nuk do të çojë në zinxhirë të mëtejshëm transmetimi”, tha Mahamud.

Zyrtarët e OBSH-së gjatë konferencës për media thanë se deri tani janë konfirmuar pesë raste që përfshijnë virusin Andes, një lloj hantavirusi që në raste të rralla mund të transmetohet nga njeriu te njeriu përmes kontaktit të afërt dhe të zgjatur.

Mahamud tha se rastet e konfirmuara duhet të qëndrojnë në izolim, ndërsa personat e ekspozuar duhet të monitorohen aktivisht deri në 42 ditë, megjithëse mënyra e zbatimit mund të ndryshojë nga një vend në tjetrin.

Ai tha se disa vende mund të përdorin karantinë institucionale, ndërsa të tjera mund të mbështeten në monitorim të përditshëm shëndetësor nga punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Maria Van Kerkhove, drejtoreshë e OBSH-së për përgatitjen dhe parandalimin e epidemive dhe pandemive, theksoi se situata ndryshon ndjeshëm nga pandemia COVID-19.

“Ky nuk është SARS-CoV-2. Ky nuk është fillimi i një pandemie COVID. Ai nuk përhapet në të njëjtën mënyrë si koronaviruset”, shtoi ajo, duke theksuar se shumica e hantaviruseve transmetohen përmes brejtësve, pështymës, urinës ose jashtëqitjeve të tyre, ndërsa transmetimi nga njeriu te njeriu është i pazakontë.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, nga ana e tij, tha se agjencia ka informuar 12 vende, shtetasit e të cilëve kishin zbritur më parë në Saint Helena, përkatësisht Kanada, Danimarkë, Gjermani, Holandë, Zelandë e Re, Saint Kitts dhe Nevis, Singapor, Suedi, Zvicër, Turqi, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA.

Tedros tha se dy rastet e para të konfirmuara kishin udhëtuar nëpër Argjentinë, Kili dhe Uruguai para se të hipnin në anije, përfshirë vizita në zona për vëzhgimin e zogjve ku kishte minj të njohur si bartës të virusit Andes.

Anija aktualisht po lundron drejt Ishujve Kanarie, ndërsa OBSH tha se si rreziku i përgjithshëm për shëndetin publik ashtu edhe rreziku për ishujt mbeten të ulëta.

MARKETING